Siria, shtyhet takimi i Ligës Arabe

12/08/2012 20:25

Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe të mbledhur në Xhedah të Arabisë Saudite, shtynë takimin për krizën në Siri.

Zv/sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmet Ben Helli u komunikoi gazetarëve vendimin pa dhënë asnjë arsye për shtyrjen.

Sic raportuan mediat ndërkombëtare, ministrat e jashtëm të Ligës Arabe do të diskutonin për emrin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, që do të zëvendësonte në këtë post, Kofi Anan i cili dha doreheqjen në fillim të muajit. Detyrën pritet ta marre diplomati veteran, algjeriani Lakdar Brahimi, 78 vjec.

Brenda një jave pritet të përfundojë edhe mandati i misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara, i përbërë nga 150 monitorues. Por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon foli për nevojën e qëndrimit të tyre në terren, për të bërë vlerësime të paanshme për situatën ushtarake.
 
Këshilli i Sigurimit do ta diskutoje këtë ceshtje të enjten por është i përcarë. Rusia kërkon zgjatjen e misionit, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë.

Në Stamboll, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia po punojnë së bashku për plane konkrete, që do të përkrahin opozitën siriane.

Të premten, kryediplomatja amerikane tha se SHBA dhe Turqia po bëhen gati për t’ju përgjigjur menjëherë rrëzimit të presidentit Bashar Al Asad, përdorimit të mundshëm të armëve kimike nga Damasku apo shtimit të fluksit të refugjatëve.

Në Siri, vazhdojnë luftimet. Televizioni shtetëror raportoi se trupat pro-qeveritare janë vënë në gjurmim të terroristëve që vendosën bomba në Marxheh, një lagje e Damaskut, në afërsi të Bankës Qëndrore dhe qëllojnë pa dallim qytetarët. Agjensia shteterore e lajmeve Sana raporton për një shpërthim pranë stadiumit Tishrin.

Në Alep, dhuna vazhdon mes Ushtrisë së Lirë Siriane dhe trupave pro-qeveritare. Aktivistët thanë se kryengritësit goditën pjesën jug-perëndimore të lagjes strategjike Salah Al Dine, prej të cilës u tërhoqën dy ditë më parë.

Raportimet nga Siria nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur sepse hyrja e gazetarëve të huaj është e kufizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA