Rikthehen “Spice Girls”

11/08/2012 00:00

Ishte folur prej disa kohësh për një ribashkim të mundshëm të grupit të
famshëm të vajzave, “Spice Girls”,  të cilat në vitet ‘90 bënë për vete
shumë të rinj me talentin dhe vitalitetin e tyre. Dhe ja ku u bë
realitet.

Vajzat simpatike do të mblidhen edhe një herë të pesta për të
performuar si një grup muzikor gjatë ceremonisë së veçantë që është
planifikuar me rastin e mbylljes së Lojërave Olimpike Londër 2012.

Victoria Beckham, Geri Halliwell, Emma Bunton, Mel C and Mel B i kanë filluar që tani përgatitjet për performancën e tyre të radhës, ndërkohë që fotot e shkëputura nga momenti i provave të tyre i tregojnë shumë të lumtura dhe në formë të shkëlqyer, sikur mos të kenë kaluar 15 vjet nga koha kur interpretonin bashkë.

Ceremonia  e mbylljes së Olimpiadës së Londrës, që do të mbahet të dielën, do të jetë po aq spektakolare sa edhe ajo që i hapi këto Lojëra Olimpike, dhe pritet të ketë vëmendjen e miliarda njerëzve në të gjithë botën.

Vajzat ndihen të lumtura që janë bërë pjesë e Lojërave Olimpike, pasi ato mendojnë se përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të Britanisë së Madhe të viteve ‘90, prandaj janë edhe pjesë e imazhit të vendit të tyre në botë.

Top Channel