Blero: E vërteta e aksidentit tim

11/08/2012 16:40

Emisioni i pasdites së të shtunës “Poke”, këtë radhë solli për teleshikuesit këngëtarin shumë të dashur për audiciencën shqiptare, Blero.

Blero është një artist i vleresuar në edicionet e ndryshme të “Top Fest” për kenge shumë të bukura, por së fundmi ka qenë duke u përballur me një proçes gjyqësor, madje thuhet se edhe ditën e ditëlindjes e ka kaluar në sallën e gjyqit.

Në vijim ju ftojmë të lexoni intervistën që Blero i dha drejtueses së emisionit “Poke”, Albana Osmani.

Albana: Përshendetje Blero! Dukesh shumë mirë, nuk duket sikur ke qenë duke vuajtur kohët e fundit.

Blero: Sapo dola nga burgu.

Albana: Blero, më vjen shumë mirë që je në këtë intervistë, në këtë program të ri televiziv, është java e dytë e tij dhe nuk po kalon pa ‘poking’, pa ngacmuar të gjithë dhe pyetja ime e parë dhe e drejtpërdrejtë është çfarë ka ndodhur me ty 4 vite më parë?

Blero: Para 4 viteve, në vitin 2008, ndërsa udhëtoja me makinën time në Prishtinë, një grup njerëzish më kanë dalë përpara. Dy vajza janë përplasur me makinen time. Pa diskutim nuk ishte faji im, kurse tani pas 4 viteve erdhi radha të dal në gjyq, ku lejohen edhe gazetarët të marrin pjesë. Fatkeqësisht interpretimi i gazetarëve ka qenë i gabuar. E kanë lexuar nenin që thotë dënohesh me kaq e me aq dhe nuk e kanë prekur pjesën tjetër të tij ku realisht s’ka të bëjë me dënim, sepse unë jam i pafajshëm.

Albana: Ti je i pafajshëm. Atëherë në këtë aksident, vajzat nuk e kishin mendjen dhe ti i kishe përplasur. Ato tashmë janë shëndoshë e mirë, besoj? Nuk besoj se pati ndonjë dëmtim?

Blero: Vajzat janë shëndoshë e mirë. Nuk i kam përplasur unë, por ato janë përplasur me makinën time.

Albana: Ato janë përplasur me makinën tënde? Po pse të akuzojnë tani pas 4 vitesh, pse të është hapur ky proçes gjyqësor?

Blero: Është hapur sepse proçedurat tona, të shtetit tonë shumë të shpejtë, parashikojnë që sistemi gjyqësor, që funksionon shumë mirë, duhet të merret 4 vite për ta përfunduar një çështje të tillë. Sistemi që nuk funksionon mirë në shtetin tonë sjell edhe vonesa të tilla.

Albana: Tani do të lidhemi në Skype me Eraldo Rexhon, kryeredaktor i suplementit “Bluetooth”, pjesë e “Gazetës Shqiptare”, një prej suplementeve më të shitur fundjavave në Shqipëri, por edhe në Kosovë, duke qenë se tashmë transmetohet edhe online.

Albana: Eraldo, ti tashmë je në dijeni të këtij lajmi, është botuar madje në mediat tuaja.

Eraldo: Lajmi është bërë publik për herë të parë në portalet e mediave kosovare, në portale online, më pas ka ardhur edhe në Shqipëri përmes portaleve te ndryshme online, dua të përmend shtypit të shkruar. Unë 2 javë më parë kam pasur një komunikimin me Bleron për këtë incident në të cilin ai është përfshirë, por doja të saktësoja diçka për të cilën unë ende nuk jam i qartë. Organi i akuzës thotë se Blero është akuzuar nga dy vajzat se ai i ka shtypur ato. Domethënë, nuk thotë se aksidentalisht vajzat i kanë dalë para Bleros, ndërkohë që këngëtari në këtë lidhje me Skype, por edhe më herët, ka deklaruar se kanë qenë vajzat ato që kanë dalë para makinës së tij. Domethënë, janë përplasur ato me makinën dhe jo Blero i ka përplasur ato…

Albana: Do të shkojmë tek Blero. Blero?

Blero: Unë e kuptoj se për çështje materiale vazhdojnë të më akuzojnë dhe ndoshta do vazhdojnë se mund të fitojnë diçka për çështje materiale. Unë i kuptoj akuzat e tyre që janë bazuar në përftimin e tyre personal, por në këtë rast janë përballë një personi që e respekton ligjin, ndaj merren edhe me një avokat jo të këndshëm për to. Thjesht unë jam i pafajshem dhe ato e kanë për çështje materiale. Ndërkohë, në raportin policor shumë mirë preket fakti se i kujt është faji. Polici që ka qenë aty ka raportuar menjëherë pas ngjarjes.

Albana: Atëherë, ky proçes gjyqësor quhet i mbyllur, apo vazhdon deri në një përfundim?

Blero: Jo, jo. Ne nuk kemi dashur ta mbyllim dhe nuk do ta mbyllim deri sa të tregohet pafajësia ime. Pa diskutim.

Albana: Në këtë rast këto 2 vajza çfarë perfitojnë? Flasim për rastin që ti je i pafajshëm dhe ato kanë dalë para makinës tënde? Në këtë përballje gjyqësore, cili eshte përfitimi i tyre, apo merr dënimin me burg Blero?

Blero: Sido që të jetë, s’ka shanse që unë të gjobitem materialisht dhe atë pjesë e mbështet sigurimi im normalisht. Por e kuptoj edhe anën e atyre vajzave që kanë dashur të dalin prapë në gjyq për t’u ballafaquar dhe me qëllimin për të përfituar materialisht.

Albana: Blero, unë dua të më shpjegosh me detaje ditën që t’i ke pasur këtë incident me vajzat? Domethenë, ka qenë një ditë e qetë, ka qenë mesdite, nuk ke qenë i pirë, ke qenë i kthjellet. Si ka ndodhur me saktësi?

Blero: Ka qenë rreth orës 15.00. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, në momëntin kur ato kanë kaluar rreth 100 metra larg vendit ku duhet të ecin këmbësorët. Kanë dalë në mes të rrugës dhe kanë dashur të shkojnë në anën tjeter tek një autobus. Vajzat, në atë kohë 16-vjeçare, ishin në ekskursion në Prishtinë, pasi nuk ishin nga ky qytet. Ato vrapuan për të shkuar drejt autobusit duke dalë në rrugë dhe duke shkaktuar përplasjen.

Albana: Ndërkohe ti ke qenë me shpejtësi të lartë, apo me shpejtësi normale?

Blero: Më thuaj sa shpejt mund të lëvizë një njeri në qytet. Mendo çfarë trafiku është në orën 15:00 edhe nuk ka shanse që dikush të ngasë makinën shpejt.

Albana: Eraldo do të nderhyjë.

Eraldo: A është plagosur njëra prej vajzave në aksidentin me Bleron?

Blero: Realisht dy vajza janë plagosur. Plagosur?! Janë lënduar pak, njëra më shumë dhe tjetra më pak.

Albana: Blero, ka qenë ditë e martë, që thuhet se është ditë tersi. Edhe vajzat kanë qenë duke nxituar, edhe ti ke qenë në rrugën tënde. Ky ekzaktesisht është aksident, por ekspertët do të nxjerrin të vertetën.

Erlado: Ato vajzat e plagosura i ka shoqëruar Blero në qendrën shëndetësore për t’u mjekuar?

Blero: Pa diskutim. Njërën prej vajzave që u lëndua më shumë e kam çuar me makinën time në emergjencë dhe i kam takuar edhe prindërit e saj. Kam qenë gjithmonë afër vajzës, kështu që unë nuk e kuptoj dot se çfarë duan ata pas 4 vjetësh, kur kam qenë ai njeri që jam, normalisht shumë i kujdesshëm!?

Eraldo: A ke komunikur me prindërit e vajzave? Çfarë kanë thënë ata lidhur me këtë proçes?

Blero: Kam komunikuar në fillim kur ka ndodhur aksidenti, kemi qenë në kontakt, por tani jo sepse edhe sikur të takohem nuk kam çfarë të bisedoj, sepse ata nuk kanë qenë korrekt me mua.

Eraldo: A është e vërtetë që ditëlindjen e ke kaluar në sallën e gjyqit, siç është shkruar?

Blero: Është e vërtetë. Ligji është ligj. A është ditëlindje, a është Viti i Ri nuk ka lidhje. Duhet të jesh para ligjit, siç jemi të gjithë të njëjtë.

Albana: Absolutisht Blero, por si ishte si ndjesi të të vinin mesazhet në telefon, ndërsa ti ishe në sallë gjyqi?

Blero: Ishte… Nuk di ç’të them… Interesante. Nuk jam mësuar të përballem me ligjin, nuk jam kriminel, thjesht jam një artist dhe një njeri i showbiz-it, kështu që ishte interesante. Mund të them se ishte një ditelindje pak më e veçantë.

Albana: Atëhere, unë dua të të bëj një pyetje në lidhje me pushimet e tua për të shkuar drejt fundit të kësaj interviste. Më thuaj, si i po kalon ditët e pushimit? Shoh që je në studio, je shkeputur pak nga muzika për të shkuar në bregdet me Teutën?

Blero: Po. Ne ishim në Turqi, në qershor, për 10 ditë. Mora energjinë e duhur para sezonit. Teuta realisht nuk ka punuar aq shumë, sepse këtë fazë e ka pushim. Ajo do të shkojë prapë me pushime. Kemi pasur kohë për pushim, por definitivisht kam pasur edhe shumë punë.

Albana: Blero, nuk do ta mbyll këtë lidhje në Skype, në programin “Poke” pa të pyetur për muzikën, për atë që ti i ke dedikuar jetën realisht. Më thuaj projektet e tua më të reja dhe më thuaj, ku je mo Blero, pse je zhdukur?

Blero: Më vjen mirë që më në fund po më vjen një pyetje për muzikën. Faleminderit shumë. Për projektet e mia mund të them se kënga e fundit quhet “Aja ku ti”, me nje tekst shume interasant dhe me një videoklip që është lançuar më 5 korrik. Këtu në Kosovë dua të falenderoj shumë fansat. Ka ecur shumë mirë. Në Shqipëri nuk e di, sepse nuk kam qenë aktiv atje. Por shpresoj se nëse nuk ka qenë në Top Channel, do të jetë.

Albana: Patjeter që do të jetë. Titulli i këngës është “Ai apo ti”?

Blero: “Ajo apo ti”. (qesh) S’jam i asaj pjese unë…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA