Edhe pse kundërshton dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkon përfshirjen e Shqipërisë.

Në një intervistë për Top Channel ai thotë se Tirana zyrtare ka obligim për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve.

“Kosova ka arritur deri këtu si rezultat i sakrificave dhe rezistencës në emër të kombit. Për rrjedhojë, pavarësia e Kosovës duhet të jetë në funksion të kombit. Unë e kuptoj qeverinë e Shqipërisë që nuk mban dot qëndrim më radikal se qeveria e Kosovës, por mendoj që shqipëria ka obligim kushtetues për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve”, deklaron Kurti.

Kurti kritikon kryeministrin Thaçi se do të hyjë në dialog me ish-bashkëpunëtorët e Millosheviçit. Në reagimin opozitar, ai nuk i përjashton edhe protestat.

“Fundi i mbikëqyrjes nuk po e bën Kosovën sovrane. Protektorati ndërkombëtar tani do të hyjë brenda institucioneve të Kosovës. UNMIK-u, KFOR-i dhe EULEX-i do të jenë të gjitha këtu”, thotë Kurti, i cili shkon edhe më tej.

“Besoj se kjo është pjesë e një skenari ku Kosova do futet në bisedime politike me Serbinë, pa kushte. Qeveria e ka bërë Kosovën si pazar, pasi e konsideron atë si mall të vjetër”, thekson më tej lideri i VV.

Top Channel