Sekti islamik dhunonte fëmijët

10/08/2012 00:30

Ishin 63 persona mes tyre dhe fëmijë, më i vogli 18 muajsh. I përkisnin një sekti islamik dhe për vite me rradhë kishin jetuar në një bunker, pa parë dritën e diellit.  

Sekti u zbulua javën e kaluar në periferi të qytetit Kazan në Rusi, pasi autoritetet po hetonin sulmet kundër disa klerikëve myslimanë në Tatarstan.

Udhëheqësi i tij ishte Faizra Kman Satarov 83 vjec i cili e kishte shpallur veten profet dhe kishte ngritur dhe kalifatin e tij nëntokësor.

Qelitë e mbipopulluara, ku mungonte ajrosja apo energjia elektrike formonin tetë kate nën një ndërtesë thuajse të rrënuar tre katëshe, në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë.

Bunkeri ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe do të shembet.

Gazeta ruse “Rosij/Skaja Gazjeta” shkruan se 19 të mitur nga 1 në 17 vjec u dërguan në spital. Ata nuk ishin larguar asnjëherë nga bunkeri, të shkonin në shkollë apo të vizitoheshin nga mjekë.

Prindërit e tyre u arrestuan me akuzën për abuzim. Ndërsa themeluesi i sektit 83 vjecari Satarov, i vetëshpallur profet i myslimanëve në kundërshtim me parimet kryesore të islamit u akuzua për neglizhencë dhe mosbindje ndaj ligjeve.

Top Channel