
Trupa e “Portokallisë” e ka ndalur turin e saj në Elbasan, ku me qindra
qytetarë e kanë ndjekur spektaklin madhështor në qendër të qytetit.
E gjithë shfaqja, e cila është alternuar më humorin pikant të aktorëve dhe muzikën ‘live’ të këngëtarëve më në zë të tregut shqiptar, ka entuziasmuar publikun për më shumë së dy orë.
“Verë dhe Portokalle”
është një aktivitet kulturor që zhvillohet për herë të parë në qytetet
më kryesore të vendit. Qytetarët e Elbasanit i kanë pritur mjaft ngrohtë
aktorët e ‘Portokallisë’, duke kërkuar që aktivitete të tilla të jenë
të përvitshme. Sipas tyre, t’i shohesh aktorët nga afër është një
ndjesi e jashtëzakonshme pasi për shumë vite ata i kanë njohur vetëm
nëpërmjet ekranit të Top Channel.
Edhe për aktorët e “Portokallisë” kjo eshte nje pervoje e veçante. Ata shpresojnë që ky aktivitet të kthehet në një tur të përvitshëm pasi janë ndjerë mjaft komod nga pritja e ngrohtë e qytetarëve. Sipas tyre, të takosh publikun kaq afër, është një emocion edhe më i madh nga ai që të jep skena.
“Mendoj që është një iniciativë shumë e këndshme dhe është shumë mirë që si aktorët dhe këngëtarët të performojnë në ambiente të tilla”, thotë këngëtari Elton Deda.
Aktorja Rina Narazani shprehet se ndihet e inkurajuar nga organizimi i një aktiviteti të tillë dhe që i jep shtysë për të ardhmen.
Kurse aktori Rezart Veleshnja shprehet se suksesi në tur ka qenë i madh, pasi ka patur rreth 15 mijë banorë që e kanë ndjekur trupën nga afër, duke i dhuruar shumë emocione.
“Verë dhe Portokalle” është mbështetur nga Bashkia e Elbasanit dhe një numër i konsiderueshem biznesesh private.
“Verë dhe Portokalle” do të vijojë turin e tij artistik edhe në qytete të tjera të vendit, për të dhuruar buzëqeshje pa fund, për publikun.
Top Channel