SHBA, zbulohet bomba në zyrën federale

09/08/2012 00:00

E kishin harruar atje, poshtë tryezës. Një çantë e thjeshtë, në mes të zyrës së agjentëve të sigurisë, në një pallat federal. Pjesa e çuditshme është ajo që mbante çanta, një bombë.

E gjetur jashtë ndërtesës federale në 27 shkurt të vitit 2011, agjenti i sigurisë e kishte vendosur aty ku ai dhe kolegët e tij mbanin sendet personale, bashkë me objekte të tjera të humbura.

Ky rast është publikuar vetëm së fundmi nga transmetuesi televiziv amerikan CNN dhe mbi të është hapur një hetim nga inspektoriati i përgjithshëm i departamentit të Sigurisë së Brendshme.

Agjenti që gjeti bombën, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, është një ish-rreshter i policisë së Detroitit, i angazhuar nga shoqëria “Deco”, që ka fituar tenderin për sigurinë e pallatit federal.

Kur ngjarja ka dalë në dritë, ai është shkarkuar menjëherë nga detyra. Nga ana tjetër, gjatë 21 ditëve që materiali eksploziv kishte mbetur i paprekur poshtë tryezës, në ndërtesë ishin bërë kontrolle të tjera.

Nga raportet nuk kishte rezultuar kurrë një prani e “objekteve të paautorizuara”. Vetëm më 18 mars, dy roje kishin dyshuar dhe kishin vendosur të kontrollonin përmbajtjen e çantës.

Top Channel