Çmimet e ushqimeve pësuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit korrik për shkak të ndryshimeve drastike të kushteve të motit, informoi një Agjensi e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.
Rritja ka rikthyer frikën e përsëritjes së krizës së ushqimeve të vitit 2007-08, që shkaktoi miliona viktima në vendet më të varfëra të botës.
Shirat e rrëmbyer në Brazil, thatësira ekstreme në SHBA dhe problemet në mbledhjen e prodhimit në Rusi kanë kontribuar për një përkeqësim të dukshëm të situatës, evidentohej në raport.
Nga qershor në korrik, çmimet pësuan një rritje prej 6% në shkallë botërore, duke ndërprerë kështu tendencën 3-mujore të rënies.
Tashmë, vlera e ushqimeve thelbësore për jetën është shumë pranë rekordit të shtrenjtësisë, së regjistruar në shkurt 2011.
Midis ushqimeve me rritjen më të madhe, ishin drithërat që u shtrenjtuan me 17% në një muaj dhe sheqeri me 12%. Në këtë situatë kanë kontribuar edhe vonesa e musoneve dhe rreshjeve të tjera në Indi dhe Australi.
Si rrjedhojë e kësaj rritje drastike të çmimit të ushqimeve, përllogaritet se disa milionë njerëz në planet u zhytën në varfëri ekstreme vetëm gjatë muajit të shkuar.
Top Channel