Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të mërkurën një akuzë në adresë të Komisionit Evropian, se po financon strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.

Përmes një komunikate për shtyp, të cituar nga “RTK”, Vetëvendosje i është referuar në veçanti Universitetit të veriut të Mitrovicës, i cili sipas saj funksionon jashtë sistemit arsimor të Kosovës dhe për rrjedhojë është i jashtëligjshëm.

“Me financimin e këtij universiteti nga Komisioni Evropian, ose po financohen institucionet e jashtëligjshme, ose veriu i Kosovës po konsiderohet si pjesë e Serbisë”, ka deklaruar VV.

Lëvizja, njëkohësisht një nga forcat kryesore të opozitës kosovare, vlerëson se universiteti në fjalë funksionon tërësisht në bazë të sistemit arsimor të Serbisë, në territorin e Republikës së Kosovës.

Vetëvendosje thekson më tej se, universiteti ilegal i veriut është pjesë e zinxhirit të institucioneve ilegale serbe të sigurisë, shëndetësisë, transportit, energjitikës, postës, etj.

“Është një zinxhir institucionesh që Serbia e shfrytëzon çdo ditë për të minuar pavarësinë e Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e Vetëvendosjes.

Top Channel