Siri, vazhdon beteja për Alepin

08/08/2012 23:00

Bombardimet e një dite më parë në Alep nuk ishin vecse prologu i asaj që do të niste mëngjesin e së mërkurës, ofensivës nga toka, në shënjestër të të cilës ishte lagjia Salah Al Dine, deri tani ishte nën kontrollin e plotë të kryengritësve.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se trupat proqeveritare kanë nën kontroll të plotë lagjen strategjike pas luftimeve të përgjakshme ku kishin vrarë një numër të madh rebelësh.

Nga ana tjetër, kryengritësit mohojnë tërheqjen. Një ekip e agjensisë së lajmeve Reuters, që u përpoq të hynte në Salah Al Dine të mërkurën, zbuloi se një pikë kontrolli e ngritur nga kryengritësit nuk ekzistonte më.

Atyre iu tha “ata kishin braktisur pozicionet”. Ekipi raportoi se në Alep dëgjoheshin shpërthime dhe të shtëna armësh. Të paktën 12 persona u vranë të martën në Alep. Në një video shfaqen trupat e pajetë, në rrënojat e ndërtesave.

Përdorimi i armëve të rënda nga trupat proqeveritare u kritikua nga organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International”.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qëndër në Britaninë e Madhe raportoi se të martën në të gjithë Sirinë u vranë 225 persona, 129 civilë, 50 kryengritës dhe 46 ushtarë.

Të pakten 2400 persona kaluan kufirin dhe hynë në Turqi për t’i shpëtuar dhunës në vend.

Dezertimi i ish-kryeministrit

Ish-kryeministri sirian, Rijad Hixhab iu bashkua opozitës dhe aktualisht ndodhet në Jordani. Në një video, ai shfaqet bashkë me disa persona të tjerë, pak përpara arratisjes.

Video e publikuar nga agjensia Reuters, e siguruar nga një faqe interneti, thuhet se është rregjistruar në qytetin jug-perëndimor të Deraa-s.

Përfaqësues të opozitës folën për një plan të gjatë për ta bindur Hixhab dhe familjen e tij për të ikur në Jordani.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore e panë këtë si shenjë e shembjes së brendshme të regjimit.

Në zhvillime të tjera, ministri i Jashtëm iranian tha se mes grupit të 48 iranianëve të marrë peng nga kryengritësit sirianë janë disa ish-anëtarë të Gardës Revolucionare, por mohoi që ata të kenë patur ndonjë rol të posacëm ushtarak gjatë qëndrimit në Siri.

Më herët u raportua edhe për ekzekutimin nga kryengritësit të gjeneralit rus, Vladimir Petrovic Kujeev, që sipas tyre ishte këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë, por më pas u mësua se ishte i gjallë dhe ndodhej në Moskë.

Top Channel