Sërish incidente në kufirin Izrael-Egjipt

08/08/2012 01:45

Persona të armatosur hapën zjarr mbi një pikë kontrolli në qytetin egjiptian të Al-Arish në gadishullin e Sinait, katër ditë pas vrasjes së 16 rojeve kufitare egjiptiane nga militantë të dyshuar palestinezë.

Shkëmbimi i zjarrit vazhdoi deri natën vonë, por nuk ka informacion për sa i përket numrit të viktimave.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një grup personash të armatosur të veshur si beduinë, hapën zjarr në pikën kufitare mes Egjiptit dhe Izraelit, në afërsi të Gazës duke vrarë 16 roje kufitare egjiptiane.

Sulmi ndodhi të dielën, rreth orës 20.00 të mbrëmjes, kur rojet po përgatiteshin për të ngrënë iftarin.

Ngjarja shkaktoi edhe reagime të ashpra teksa presidenti egjiptian Mohamed Mursi, gjatë një fjalimi në televizion, tha se kriminelët e sulmit në kufirin mes Egjiptit dhe Izraelit do të paguajnë një cmim shumë të lartë.

Ndërsa zëdhënësi i HAMAS-it tha se Egjipti dhe Gaza kanë armiq të përbashkët dhe garantoi se organizata do të hetojë ngjarjen.

Top Channel