“Tomisllav Nikoliç është i shkëputur nga realiteti dhe e sheh gjendjen në Kosovë me thjerrëza të vjetëruara”. Kështu thotë publicisti britanik, Tim Judah, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Mendoj se do t’iu duhet pak kohë që t’i përshtaten realitetit të ri, sepse, nga ajo që zoti Nikolliç po thotë, mua më duket se ai është shumë, shumë i shkëputur nga realiteti i ri i Kosovës, si në terren, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Judah.

“Siç e shihni, ai po flet për disa ide që kanë qarkulluar gjatë vitit 1999. Mendoj se do të marrë pak kohë për qeverinë e re dhe njerëzit e rinj që t’i përshtaten realitetit dhe të vendosin se si duan të vazhdojnë”, ka nënvizuar ai.

Sipas analistit, nëse presidenti serb këmbëngul me qëndrimet e tij, atëherë dialogu eventual me Kosovën nuk do të çojë askund.

“Varet se çfarë duan të bëjnë serbët me dialog, nëse vërtet duan që t’ia lehtësojnë jetën serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, që të jetojnë një jetë normale. Supozoj se do të nisin të vazhdojnë dialogun aty ku kanë mbetur gjërat. Por, nuk e di se kur do të nisin ta bëjnë një gjë të tillë. Supozoj pas disa muajve, por është vështirë të thuhet”, ka vlerësuar Judah.

Përsa i përket veriut të Kosovës, Judah është shprehur skeptik për një zgjidhje të shpejtë, duke shprehur bindjen e tij se kjo çështje do të jetë një problem afatgjatë.

“Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje të veçantë, diçka që do të zgjidhej njëherë e përgjithmonë. E di se politikanët flasin për këto gjëra, po në të vërtetë mendoj se kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe do të menaxhohet siç është menaxhuar deri tani, në një mënyrë, duke penguar gjërat që të ecin përpara”, ka thënë Judah.

Top Channel