Egjipt, ushtria sulm në shkretëtirë

08/08/2012 15:15

Helikopterë ushtarakë egjiptianë lëshuan raketa ndaj militantëve të dyshuar islamikë në gadishullin e Sinait, lajmëruan burime zyrtare gjatë së mërkurës.

20 persona mbetën të vrarë në fshatin e Toumës, ndërsa rajoni i Sheikh Zuvaid gjithashtu u godit nga predhat.

Sulmi i ushtrisë erdhi pasi një postë ushtarake egjiptiane u sulmua nga militantë të armatosur në kufirin me Izraelin, duke vrarë 16 policë e ushtarë, ne fundjave.

Pas këtij sulmi, më i përgjakshmi ndaj trupave egjiptiane në kufi në disa dekada, ushtria e Izreaelit u përgjigj duke ndërmarrë një sulm dhe duke vrarë disa militantë.

Aktualisht, Egjipti, një vend me 85 milionë banorë, përballet me probleme të rënda sigurie, që prej revolucionit që rrëzoi qeverinë e Mubarakut në shkurt 2011.

Gadishulli shkretinor i Sinait, ku takohet kufiri i Egjiptit, Izraelit dhe Gazës, është shndërruar në një oaz trafikimi, nëpërmjet tuneleve nëntokësorë dhe sipas informatave, është shndërruar në një zonë operacionesh nga xhihadistët që synojnë të godasin shtetin hebre.

Top Channel