Institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar në mënyrë të drejtë ndaj sulmeve ndaj serbëve dhe objekteve të shenjta. Kështu të paktën kanë konstatuar kryeministri serb, Ivica Daçiç dhe shefi i UNMIK-ut, Ferid Zarif.

Ditën kur Kombet e Bashkuara kanë adresuar kritika të ashpra në adresë të Policisë së Kosovës përmes raportit të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, shefi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Zarif, ka takuar kryeministrin serb, Daçiç.

Njoftimi i qeverisë së Serbisë adreson kritika ndaj Prishtinës dhe kërkon një zgjidhje të drejtë për problemin e Kosovës, si një mënyrë që garanton stabilitetin afatgjatë.

“Përmbajtja nga veprimet e njëanshme është një nga parakushtet për stabilitet të qëndrueshëm, është konstatuar në bisedën e kryeministrit serb dhe shefit të UNIK-ut”, ka njoftuar qeveria.

Daçiç ndër të tjera ka shprehur shqetësimin për tregtinë me organe në Kosovë dhe mungesën e hetimeve, ndërkohë që ka thënë se qeveria e tij do të respektojë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik. Sipas tyre, zgjidhjet për Kosovën duhet të jenë në pajtueshmëri me rezolutën 1244.

Top Channel