Britani, nuk ka rritje ekonomike në 2012-n

08/08/2012 16:20

Banka e Anglisë reduktoi pritshmërinë për rritjen ekonomike pranë 0%, nga 0,8% që besohej se do të ishte rritja vjetor në maj, si rrjedhojë e thellimit të recesionit.

I vetmi lajm i mirë është se për momentin, inflacioni është nën kontroll dhe se pritet që objektivi për një inflacion më të vogël se 2% përgjatë 2012-s të arrihet pa shumë veshtiresi.

Këto të dhëna bënë që në shtypin anglez të spekulohet për një reduktim të normës bazë të interesit, çka do të rriste sasinë e parave që qarkullojnë në treg dhe kreditimin, duke i dhënë një impuls ekonomisë.

Megjithatë, guvernatori Sir Mervyn King mohoi këtë opsion për momentin. “Prej dy vitesh, prodhimi në ekonominë tonë ka qenë i dobët dhe kjo ka dëmtuar pritshmëritë për rritje ekonomike. Tashmë jemi duke lundruar në ujra të turbullt dhe vazhdojmë të ndiejmë pasojat e krizës që po ndodh në Eurozonë. Ndryshe nga atletët tanë në Lojrat Olimpike, ekonomia jonë nuk do të fitojë formën e saj më të mirë brenda pak kohe”, deklaroi guvernatori.

Sir King shtoi se për momentin “çdo parashikim është i vështirë për t’u bërë, pasi ekonomia jonë është e ndërlidhur me atë të Eurozonës dhe si e tillë, varet shumë nga rezultatet që do të arrihen në kontinent”.

Top Channel