Itali, ekonomia vazhdon tkurrjen

07/08/2012 15:25

Ekonomia italiane u kontraktua me 0,7% në tremujorin e saj të dytë, shenjë e thellimit të recesionit, ndërsa masat shtrënguese të qeverisë kanë reduktuar fuqinë blerëse të biznesit dhe italianëve.

Sipas të dhënave paraprake të Institutit Italian të Statistikave (ISTAT), Prodhimi i Brendshëm Bruto në Itali pësoi një rënie për tremujorin e katërt radhazi.

PBB pësoi një rënie prej 0,8% edhe në tremujorin e parë të vitit, ndërsa prodhimi industrial është reduktuar me 8,2% që prej fillimit të vitit.

”Masat e kursimit të qeverisë, pa dyshim që po japin një ndikim rëndues në ekonomi”, deklaroi Vincenzo Bova, një ekspert financiar. “Investimi dhe konsumi, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik, janë midis më të dëmtuarve”.

Qeveria e kryeministrit Mario Monti është duke zbatuar një seri masash shtrënguese që synojnë të kursejnë nga buxheti i zhytur në borxhe i shtetit një total prej 20 miliardë eurosh.

Shkurtimi drastik i investimeve publike, efektet e krizës së Eurozonës dhe vështirësimi i kreditimit të ekonomisë janë arsyet kryesore që shpjegojnë recesionin.

Top Channel