Filipine, përmbytjet paralizojnë Manilën

07/08/2012 00:00

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendura kanë paralizuar pjesë të kryeqytetit të Filipineve, duke detyruar dhjetra mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre, si dhe të mbyllin shkollat e zyrat.

Autoritetet deklarojnë se gjysma e Manilës është prekur nga përmbytjet, me ujin që ka kaluar mesin e trupit të njeriut dhe në disa raste ka arritur deri në nivelin e mjekrës.

Gjithësesi, për momentin nuk ka raporte për viktima. Mbi 50 persona humbën jetën pasi tajfuni Saola përshkoi vendin rreth një javë më parë.

Forca e shirave që bien që prej së hënës, në një qytet të dëmtuar edhe më herët gjatë vitit nga fenomenet natyrore, ka detyruar autoritetet të japin nivelin më të lartë të alarmit.

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu se vala e përmbytjeve mund të bëhet më e egër dhe të prekë rezervuarin kryesor të Manilas dhe për rrjedhojë të shkaktojë më shumë derdhje të ujit.

“Nëse e masim me përqindje, të paktën 50 për qind e Manilës është përmbytur”, ka deklaruar Jean Navarez, nga shërbimi meteorologjik shtetëror.

“Do të ketë shira të dendura edhe në 24 orët e ardhshme dhe ne presim që përmasat e përmbytjeve të rriten”, ka shtuar zyrtari për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Top Channel