Publikimi i emrave të ish-spiunëve në faqen zyrtare të internetit nga ana e Komisionit për Lustrim ka shkaktuar shumë reagime. Partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM mund të tërheqë anëtarët nga Komisioni për lustrim, pasi vlerëson se ky proces por përdoret nga pushteti për të diskredituar kundërshtarët politikë dhe për të mbuluar dështimet e Qeverisë.

“Lustrimi po bëhet sipas një ligji që përmban elemente jokushtetuese dhe në krye të komisionit për lustrim është një person të cilit i ka kaluar mandati. Pushteti me procesin e lustrimit po tenton të krijojë teatër për qytetarët, me qëllim që ata të merren vetëm me këtë cështje dhe të mos mendojnë për situatën e përkeqësuar ekonomike në vend pas rritjes së cmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike”, tha Zoran Jovanov, LSDM.

Por këto akuza janë hedhur poshtë nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, e cila konsideron se opozita maqedonas duke kundështuar lustrimin, po del në mbrotje të spiunëve.

Pas publikimit të dosjeve në internet kanë reaguar edhe disa nga funksionarët shqiptarë për të cilët u konstatuar se kanë qenë ish- bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete. Ata kundërshtojnë konstatimet e Komisionit për lustrim duke thënë se asnjëherë nuk kanë spiunuar.

Ndërkohë, në internet ka vazhduar publikimi i emrave të bashkëpunëtorevë, ku numri i personave të cilëve u janë publikuar dosje ka shkuar në 23. Shtatë prej tyre janë shqiptarë.

Që nga dita e premte kur ka filluar publikimi i emrave të spiunëve, faqja zyrtare e Komisionit për Lustrim në internet ka shënuar numër rekord të vizitorëve, duke kaluar shifrën prej 25 mijë klime për 48 orë.

Top Channel