Akuzoheshin për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, por katër ushtarë serbë kanë marrë dënime minimale nga një gjykatë ushtarake në Nish.

Sipas raportimeve të “RTK”, dy oficerët Zlatan Mançiç dhe Rade Radojeviç dhe ushtarët e thjeshtë Danilo Teshiç dhe Mishel Seregija kanë pranuar krimin dhe për këtë dënimet ndaj tyre janë lehtësuar ndjeshëm.

Kështu, dy oficerët janë dënuar përkatësisht me 7 dhe 5 vjet, ndërsa dy ushtarët respektivisht katër dhe tre vjet burg.

Në fillim të proçesit, në vitin 2002 në Gjykatën Supreme, Mançiç dhe Radojeviç e kishin pranuar fajin, ndërsa gjatë vazhdimit të gjyqit në Gjykatën Ushtarake, në muajt e fundit, e kishin tërhequr pohimin pa pasur asnjë pasojë.

Edhe Teshiç dhe Seregija, në proçesin e vitit 2002, kishin pranuar se me urdhër të eprorëve të sipërpërmendur kishin vrarë dy civilë shqiptarë në prill të vitit 1999, në afërsi të lokalitetit të Kushinit.

Top Channel