Partia më e madhe e opozitës në Kosovë, LDK, pas refuzimeve të kryeministrit Hashim Thaçi për zbatimin e marrëveshjes trepalëshe, i është drejtuar vetë presidentes Jahjaga duke i kërkuar asaj të japë dorëheqjen.

Deputetja Vjosa Osmani ka deklaruar se, vetëm dorëheqja e presidentes Jahjaga mund t’i hapë rrugën kryerjes së reformave kushtetuese në vend.

“Presidentja vetë e dha fjalën në fjalimin inaugurues se, në momentin që do të përgatiteshin ndryshimet kushtetuese do të tërhiqej. Është e qartë se një gjë e tillë nuk i ndalohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, prandaj në presim që ajo të hapë rrugë dhe të japë shembullin për liderët e tjerë që të respektojnë marrëveshjen”, ka thënë Osmani për “REL”.

Deputetja, anëtare e komisionit për ndryshimet kushtetuese, ka riparalajmëruar se, nëse Jahjaga nuk tërhiqet dhe partitë e koalicionit qeverisës nuk zbatojnë marrëveshjen politike, LDK nuk do t’i votojë ndryshimet në fjalë dhe reformën zgjedhore.

“Ne nuk kemi arsye t’i votojmë amendamentet kushtetuese, pasi ato kanë të bëjnë me zgjerimin dhe fuqizimin e kompetencave të presidentit, vetëm atëherë kur ai zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka nënvizuar Osmani.

“LDK nuk ka interes të fuqizojë kompetencat e presidentes aktuale dhe vlerëson se është në interes të vendit që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli”, ka vijuar ajo.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili i ka cilësuar ato si “joparimore”.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kundërshtohen. Ftojmë LDK-në që të mos bllokojë proçesin e reformave, por t’i votojë ndryshimet”, ka thënë Grabovci.

Apelet e vazhdueshme të LDK-së për dorëheqjen e presidentes Jahjaga, deputeti i PDK-së i ka vlerësuar si kërkesa normale të një partie opozitare.

Grabovci ka shtuar se, Kosovës në këtë fazë i duhen më shumë reformat sesa zgjedhjet e shpejta presidenciale apo qendrore.

Top Channel