Velipoja, një nga plazhet më të bukura në Adriatik. Një qendër turistike dhe pushuese mjaft e këndshme, me peisazh të larmishëm, ku ndërthuren hijshëm deti me plazhin e tij ranor; lumi me deltën e tij; ishujt me kodrat dhe pylli që për simbol ka shpendin e fazanit.
Velipoja është mjaft e populluar këto ditë, por autoritetet thonë se numri i pushuesve nuk është i njëjti në krahasim me vitet e shkuara.
Pashk Ujka, kryetar i komunës Velipojë, tregon: “Kriza globale është ndjerë edhe tek ne. Shumë pak emigrantë janë kthyer, ndërsa ka pasur edhe shumë pak turistë nga Kosova. Nëse më parë kemi pasur 150 mijë turistë, këtë vit ky numër është rreth 100 mijë.”
E ndërsa ekonomia tkurret, çmimet për pushuesit sa vijnë e rriten. Pushuesit kosovarë këtë vit u orientuan më shumë drejt plazheve të veriut pas zhgënjimit disavjeçar në Durrës e kryesisht abuzimit me çmimet, por kjo mani e tregtarëve shqiptarë i ka ndjekur edhe në Velipojë duke lënë shumë persona të pakënaqur.
“Kam tre vjet që kaloj pushimet në Velipojë dhe më pëlqen sepse është pastër, por çmimet janë pak të larta. Janë çmime normale për emigrantët, por për ata që jetojnë në Shqipëri janë pak të larta. Gjithsesi nuk është keq në krahasim me vende të tjera”, shprehen pushuesit.
Përpos pretendimeve të pushuesve, në Velipojë ka edhe nga ata biznesmenë që shprehen se po bëjnë të pamundurën për të lënë të hapur rrugën e kthimit për turistët. Gjovalin Gudija thekson: Mundohemi tu ofrojmë klientëve një shërbim të rregullt. Shërbimi është parësor sepse unë kërkoj që klientët të rikthehen përsëri.”
Por nëse ka të pakënaqur në zonë, ankesat krijohen nga vetë bizneset: çmime të kripura dhe shërbim që lë shumë për të dëshiruar.
“Mendoj se mungon sensi i punës, edukata e punës. Shërbimi mund të jetë i mirë, por shqiptarët e kanë bezdi tu shërbejnë të tjerëve”, shpjegon një pushues.
Shumë pushues i drejtohen Velipojës për klimën dhe karakteristikat që ofron zona, për peisazhin e luginat e pasura me bimësi e për gjithçka tjetër që natyra ka ofruar me bujari. Ka të tjerë që duan t’i arratisen vendit për atë që dora e njeriut po përmbys në natyrën e këtij gjiri.
Më pak pushues dhe më shumë ankesa për çmimet që vazhdojnë e rriten sivjet për Velipojën. Autoritetet thonë se tkurrja e turizmit vjen për shkak të krizës dhe le të besojmë se fajin vërtet e ka ajo.
Top Channel