Turqi, kurdët sulmojnë pozicionet e ushtrisë

05/08/2012 13:40

Të paktën 19 persona mbetën të vrarë në Turqinë juglindore, kur kryengritësit kurdë lëshuan një sulm mbi një pikë kufitare turke, informuan mediat vendase.

Rebelët lëshuan predha dhe hapën zjarr ndaj pikës së krahinës së Hakarit pas mesnate, informoi televizioni kombëtar “NTV”.

Avionë gjuajtës janë vendosur në ndjekje të rebelevë, duke bombarduar rrugët e tyre të arratisjes në territorin iraken, konfirmuan burime zyrtare.

Disa mijëra kryengritës të Partisë Punëtore të Kurdistanit janë fshehur në baza të ndryshme në Irakun verior.

Sipas guvernatorit të Hekarit, Orhan Alimoglu, midis viktimave ishin gjashtë ushtarë, dy policë dhe 11 rebelë. Gjithashtu, 15 ushtarë mbetën të plagosur në incident.

Numri i përballjeve midis PPK-së dhe ushtrisë turke është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit të fundit dhe një seri përplasjesh në korrik lanë disa dhjetëra të vdekur.

PPK është një organizatë e konsideruar terroriste nga SHBA dhe BE, e cila që prej vitit 1984 kërkon formimin e një shteti kurd me mjete të dhunshme. Rreth 20% e popullisë turke janë minoritet kurd.

Top Channel