Armëpushimi Rusi-Ukrainë/ Putini pranon ftesën e Parisit: Gati për dialog me Macronin Disa muaj më parë, Tuaiba Kanafani me profesion inxhiniere bënte një jetë normale në Kanada, bashkë me të shoqin, djalin 6-vjeçar dhe vajzën tre vjeç. Por, tani kjo i përket së shkuarës.
Aktualisht ndodhet në qytetin Adana, në jug të Turqisë, e veshur me rroba ushtarake. Kur u takua me gazetarin e BBC-së Richard Galpin ajo kishte përfunduar një mision jo të suksesshëm me kryengritësit në Alep. Dy shoqëruesit e saj ishin vrarë.
Në qershor të këtij viti ajo iu bashkua “Ushtrisë së Lirë Siriane” dhe iu caktua një detyrë e vështirë. Si grua e kishte më të lehtë se burrat të lëvizte në rrugët e Alepit dhe të zbulonte pozicionet e ushtrisë dhe ky informacion do të ndihmonte “Ushtrinë e Lirë Siriane”.
“Shumë gra punojnë me mua dhe bëjmë spiunazh. Kërkojmë ku janë vendosur trupat ushtarake apo ku do të ishte më mirë të pozicionoheshim”, shprehet Tuaiba.
Në mesin e gjithë kësaj ajo flet në telefon me familjen çdo ditë dhe u thotë se është mirë.
“Pyes veten se përse nuk kam më frikë nëse më qëllojnë më plumb në kokë? Po ndërsa përballesh me vdekjen ti humb çdo frikë”, tregon ajo.
Si shumë siriane që iu bashkuan kryengritjes, ajo nuk ka asnjë eksperiencë ushtarake. Tregon për një program të veçantë trajnimi në kampe sekrete, të ushtrisë turke: “Populli turk po na ndihmon. Shumë njerëz po trajnohen në këto kampe. Trajnimi është vërtetë profesional. Mund të flesh vetëm katër orë në ditë. Duhet të ngjitesh në male, të mësosh të qëllosh me armë. Është punë e vështirë”.
Katari dhe Arabia Saudite kanë garantuar ndihmë ushtarake dhe komunikimi për kryengritësit sirianë në një bazë sekrete. Kjo, sipas BBC, është ngritur në Adana. Turqia nga ana tjetër ka mohuar se furnizon me armë kryengritësit.
Top Channel