Siri, beteja për Alepin

05/08/2012 00:00

Ajo që po ndodh në Alep nuk është veçse fillimi nëse i referohemi rrethimit të fundit të qytetit nga 20 mijë trupa pro-qeveritare.

Pozicionet e kryengritësve prej ditësh janë në shënjestër të avionëve,  helikopterëve ushtarakë dhe artilerisë. Korrespondenti i BBC-së në kufirin turk, Richard Galpin, raporton për një numër të madh tankesh e autoblindash, të gatshëm për ofensivën e madhe.

Trupat u përpoqën të shtyjnë kryengritësit nga lagjet lindore dhe jugore të Alepit. Përleshje të armatosura u raportuan në disa zona, përfshirë edhe qendrën e qytetit të vjetër. Një zëdhënës i kryengritësve tha se ata po përpiqen të arrijnë në qendër duke lëvizur drejt kështjellës historike në qytetin e vjetër, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Abdel Xhabar Okaida, një prej komandantëve të ushtrisë së lirë siriane tha se lagjia e Salah Al Dines është në shënjestër të bombardimeve më të rënda që prej nisjes së betejës më 20 korrik.

Një zëdhënës i qeverisë tha se “beteja për Alepin nuk ka nisur ende, çfarë po ndodh nuk është veçse aperitivi i asaj që do të vijë më vonë”. Avantazhi më i madh i qeverisë, sipas analistëve, janë avionët dhe helikopterët ushtarakë.

Tre video të publikuara në rrjetet sociale, të cilat agjensia e lajmeve Reuters nuk ka mundur t’i verifikojë, tregojnë avionët ushtarake MIG që fluturojnë në pjesën lindore të Alepit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB