“Standard & Poors” ka ndëshkuar Italinë. Agjencia amerikane e kreditimit ka ngritur nga 4 në 5 rrezikun ekonomik të lidhur me vendin fiqnj, që mund të kalojë një reçesion më të thellë e më të gjatë.
Të cënueshme janë edhe bankat italiane. “S&P” ka shqyrtuar kreditimin e 32 institucioneve bankare, duke ulur vlerësimin për 15 prej tyre, mes të cilave bankat më të njohura italiane.
Shkurtimi, sqaron agjencia, reflekton rrezikun ekonomik të Italisë. “S&P” parashikon për Italinë një kontraktim ekonomik prej 2.1 për qind në vitin 2012 dhe prej 0.4 për qind në vitin 2013.
“Gjendja aktuale e ekonomisë italiane po rrit cënueshmërinë e cilësisë së aseteve të bankave italiane”, sqaron më tej agjencia.
Ditën e enjte, kryeministri Mario Monti shprehu pasiguri kur tha se: “Nuk e di nëse Italia do të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Europian për të ulur kostot e huamarrjes”.
Komentet e tij erdhën pas deklaratës së Mario Draghi-t, i cili nënvizoi se vendet duhet të dëshmojnë gatishmërinë për të ndryshuar përpara ndërhyrjes së BQE-së.
Duke ruajtur të pandryshuar normën e interesit, BQE fshiu çdo shpresë për veprime të shpejta për të ulur kostot e huamarrjes në Spanjë apo Itali.
Top Channel