Kroacia dhe Serbia mund të shfuqizojnë paditë për genocid të bëra ndaj njëra-tjetrës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kështu kanë lënë të kuptohet autoritetet e dy vendeve, sipas të cilave një gjë e tillë mund të realizohet nëse nuk krijohen rrethana të tjera konfliktuale.

“Tërheqja reciproke e akuzave është e mundur po qe se përmbushen kushte të caktuara dhe nuk krijohen rrethana të tjera”, ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kroate, Daniella Barishiç.

Nga ana tjetër, edhe shefi i diplomacisë serbe Ivan Markiç është shprehur optimist se tërheqja e akuzave është e mundur, gjithmonë nëse rrethanat janë në drejtimin e duhur.

Në një intervistë për të përditshmen “Veçernje Novosti”, Markiç ka paralajmëruar edhe mbajtjen së shpejti të një takimi me homologen kroate, Vesna Pushiç.

Zagrebi zyrtar insiston që dy vendet të zgjidhin disa çështje të caktuara, si ajo e personave të zhdukur, proçeset për krimet e luftës dhe raste të tjera.

Në vitin 1999, Kroacia ngriti padi ndaj Serbisë në lidhje me masakrat e kryera në fshatin Vukovar gjatë luftërave të viteve 1991 dhe 1995, të cilës Serbia iu përgjigj me një kundërakuzë në vitin 2010.

Top Channel