Himarë, grabitet për herë të dytë kisha

03/08/2012 00:00

Kisha “Gjithë shenjtorët” në Himarë është bërë dy herë pre e grabitësve
brenda muajit korrik. Synimi ka qenë vjedhja e një pjese të ikonostasit
origjinal të kësaj kishe, e cila pas restaurimit është në gjendje të
mirë.

Ndonëse fillimisht u fol edhe për vjedhjen e një ungjilli të vjetër të kishës, burime të policisë bëjnë të ditur se është grabitur vetëm një pjesë e ikonostasit dhe nuk janë prekur ikonat. Kjo është e kuptueshme, pasi sipas specialistëve të trashëgimisë, ato nuk bëjnë pjesë në objektet e trashëgimisë kulturore.

Bëhet fjalë për pjesën e sipërme dhe qendrore të ikonostasit (i realizuar në shekullin XVIII) ku ka pasur dekore dhe një kryq druri i zbukuruar. Ndonëse dëmtimi i parë ka ndodhur në fillim të korrikut dhe nuk është mediatizuar, specialistë të Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, thonë se janë njoftuar për grabitjen dhe pohojnë se ikonostasi i kësaj kishe bën pjesë në rastet e punuara me mjeshtëri të lartë. Gjurmët e dëmtimit janë të dukshme, ndërkohë që përfund ikonostasit dallohen edhe copëza të mbetura gjatë grabitjes së pjesëve. Në mungesë të rojeve apo të kamerave të sigurisë, nuk ka asnjë gjurmë të grabitësve. Burime të policisë shprehen se janë duke kryer hetime, por deri më tani nuk kanë ndonjë të dyshuar. Kjo është e disata herë që kishat bëhen pre e grabitësve, të cilët synojnë ikonat origjinale, por edhe pjesët e ikonostaseve, të punuara me mjeshtëri shekuj më parë. Pas viteve ’90 është vjedhur edhe kambanorja që ndodhet pranë kësaj kishe. Katër kambanat për të cilat thuhet se kanë pasur në përbërje të tyre sasi ari janë zhdukur, ndërkohë që kanë mbetur kujtimet e të moshuarve, të cilët tregojnë se tingujt e tyre dëgjoheshin deri në Korfuz. Kisha është ndërtuar rreth vitit 1775 dhe lidhet me emrin e Shën Kozmait. Pranë kishës gjendet edhe shkolla greke e “Akrokeravne”, ndërtuar me porosi të Shën Kozmait. Thuhet se ai u kërkoi banorëve që të ndërtonin më shumë shkolla se kisha, por më pas ishte po ai që i porositi për ndërtimin e kishës së “Gjithë Shenjtorëve”. Duke qarkulluar në formën e gojëdhënave, banorët tregojnë se ishte vetë ai që zgjodhi vendin, në të cilin më parë ndodhej një kishë e vogël e quajtur kisha e Shën Nikollës. Për ndërtimin e ikonostasit, thuhet se Mitropolia e Janinës pagoi mjeshtër nga Konica dhe ikonostasi ka ardhur i ngarkuar mbi 100 kuaj në vitin 1826.

Gjatë regjimit komunist, si shumë objekte kulti, kisha u dëmtua sepse u përdor si magazinë portokajsh. Pas restaurimit, ajo sot ndodhet në gjendje të mirë dhe është e hapur për besimtarët. Një pjesë e mirë e kishave në të gjithë Shqipërinë, përveç harresës dhe mungesës së restaurimit, thuajse janë zbrazur nga vlerat që kanë trashëguar. Në pjesën dërmuese të rasteve, fajtorët nuk janë gjetur asnjëherë, ndërsa në mungesë të një legjislacioni dhe kontrolli të fortë, shumica përfunduan në tregun e zi jashtë Shqipërisë. Më të prekurat kanë qenë kishat e Voskopojës. Grabitja e një pjese të ikonostasit të kishës “Gjithë Shenjtorët” në Himarë është rasti më i fundit i shënuar në dëmtimin e këtyre vlerave të rralla.   

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta