Siri, regjimi masakër në Damask

02/08/2012 00:00

Trupat ushtarake në Siri kanë vrarë të paktën 70 persona në afërsi të Damaskut, shumica e të cilëve civilë të çarmatosur.

Ata kanë humbur jetën pasi trupat qeveritare bombarduan dhe më pas bastisën lagjen Jdeidet Artouz, në jug-perëndim të kryeqytetit gjatë së mërkurës, kanë bërë të ditur aktivistët për të drejtat e njeriut.

Sipas burimeve, trupat qeveritare janë paraqitur nëpër banesa duke kërkuar fillimisht dokumentat, por më pas kanë hapur zjarr duke masakruar popullsinë.

Televizioni shtetëror sirian raportoi për disa dhjetra “terroristë” të dorëzuar ose të vrarë gjatë operacionit të njësive ushtarake.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara deklarojnë se edhe luftimet në qytetin e Alepos janë intensifikuar ndjeshëm në ditët e fundit.

Sausan Ghosheh, nga misioni i OKB-së në Siri, tha për BBC se forcat e opozitës tashmë zotërojnë armatime të rënda, përfshirë tanke që u janë marrë forcave ushtarake.

Zyrtarja u bëri thirrje të dyja palëve që të tregohen të përmbajtura dhe që të dallojnë civilët dhe luftëtarët në konflikt.

Të mërkurën, një video me pamje që tregonin pushkatimin e katër besnikëve të presidentit Assad nga rebelët në Alepo shkaktoi kritika nga grupet e të drejtave të njeriut.

Mbi 200 mijë persona kanë braktisur Alepon në javët e fundit, thotë OKB, ndërkohë që forcat qeveritare luftojnë për të dëbuar Ushtrinë Çlirimtare Siriane nga qyteti më i madh i vendit.

Rebelët duket se kontrollojnë pjesën dërrmuese të tij, pavarësisht se nga ofensivat qeveritare ata kanë pësuar humbje të shumta.

Top Channel