Rekordi i Berishës dhe shterpësia olimpike

01/08/2012 00:00

ELERT YZEIRI – Edhe për fundjavën që lamë pas, as vrasjet dhe as
aksidentet nuk e bënë pushim, por lajmi që tërhoqi më shumë vëmendjen e
shqiptarëve ishte padyshim rekordi i radhës që Kryeministri Berisha
vendosi me shumë modesti dhe shumë vendosmëri, duke qëndruar në ujë për
më shumë se dy orë. Për saktësi 141 minuta, 9 më shumë se 1 vit më parë.

Vetëm pak çaste pasi la aeroportin “Nënë Tereza” të shtunën pasdite, në kthimin nga Londra, ku ndodhej për të takuar ekipin olimpik e për të ndjekur ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, kreu i qeverisë udhëtoi fluturimthi drejt Dhërmiut me eskortën e tij. Një udhëtim që pavarësisht se rrugët janë bërë për qejf, prapë duhet të ketë qenë i lodhshëm, veçanërisht për një person të moshës 68 vjeç. Të nesërmen pa u ngritur mirë dielli në kupë të qiellit, kreu i qeverisë u krodh në ujë, për të mos dalë prej andej pa ardhur mesdita. Jo vetëm një freskim tërësor të trupit, në këtë vapë përvëluese, por mbi të gjitha për të shtuar në palmaren e tij edhe një rekord të ri, sipas mënyrës së tij, por që u bën karshillëk shterpësisë së rezultateve të sportistëve tanë olimpistë.

Vetë Kryeministri, si gjithnjë, ishte i sigurt për rezultatin e tij, shoqëruesit e familjarët kaluan në delir kur kronometri u ndal në 141 minuta brenda në ujë, duke luajtur këmbë e duar. Mediat nxituan ta nxjerrin me lajm të fundit këtë rezultat kaq befasues, madje kishte edhe nga ato, që u pret timoni pak djathtas, që e ndërkombëtarizuan informacionin. Lajmi u bë share me agjencitë simotra në Europë, me pak fjalë mori dhenë dhe bota mbeti e pataksur nga ky rezultat. Aq shpejt u përhap lajmi sa njerëzit në rrjetet sociale më shumë komentonin rekordin e qëndrimit në ujë të Kryeministrit shqiptar, sesa rekordin e përfolur të 16-vjeçares kineze, Ye Shiven, në Londër, teksa garonte më shpejt se një mashkull në 400 m stil i lirë.

Por ndërsa të gjithë mahniteshin me rekordin e paprecedentë të Kryeministrit Berisha, të arritur me forcat e veta, e që mund të ishte edhe më i thellë nëse shoqëruesit e tij do të rezistonin më gjatë në ujë, në mendje më lëviznin dhjetëra pyetje shumë interesante: cili është sekreti i këtij suksesi, që e bën atë Kryeministrin e parë dhe të vetëm në botë që lëviz pa ndalur për plot 141 minuta në ujë, pa i prekur këmbët në tokë dhe pa u mbajtur nga askush? Kush është trajneri i tij? Cili është programi stërvitor? Sa kohë iu desh që të arrinte këto rezultate dhe cilat janë synimet për të ardhmen? Si i ka arritur këto rezultate Kryeministri Berisha, kur ai nuk ka mundësi të stërvitet gjatë vitit nga angazhimet e shumta politike? Dhe meqenëse ne jetojmë në një kohë të vështirë, kur në sportin shqiptar, jo vetëm sportistët përdorin substanca të ndaluara, por edhe trajnerët, presidentët e federatave, vetë sekretari i KOKSH-it, herë-herë ndoshta edhe ministri i Sportit, po Kryeministri i është nënshtruar ndonjëherë analizave antidoping, qoftë edhe në atë laboratorin fantazmë që vetë shteti ka investuar për të qenë funksional?

Kjo e fundit duket pak provokuese, madje me shumë përulësi më duhet ta pranoj që mund të jetë deri në limitet edhe të një akuze, e shtyrë për së shumti nga fakti që nga rekordi i fundit është përmirësuar me 9 minuta apo edhe më intriguese akoma, kur ndryshe nga të gjitha herët e tjera ai është realizuar pa pasur kohën e mjaftueshme që Kryeministri të përgatitej apo më thjesht akoma të pushonte nga udhëtimi i lodhshëm 3-ditor në Londër!

Noti i Kryeministrit nuk i bën keq askujt, madje aspak nëse i shtojmë për kornizë këto rekorde që ai i regjistron me veten, por ironia është therëse nëse e paralelizojmë me kohën në të cilën është realizuar. Vetë Kryeministri pa më të voglën modesti duhet të rrahë gjoksin për këtë sportivitet që e karakterizon, madje mund ta shesë(ashtu siç edhe e bëri pa pushim edhe në mbledhjen e grupit parlamentar)si një shembull model për sportin shqiptar, por më duhet ta bëj një pyetje. Më duhet t’ia bëj këtë pyetje, por me zë të ulët, për të mos e zgjuar ministrin e Sportit, që dremit ëmbël vetëm prej pak vitesh. Çfarë bëhej nga Londra zoti Kryeministër? …mundësisht për skuadrën tonë olimpike…

Edhe këtë herë kreu i qeverisë nuk priti pyetjen time, apo të ndonjë kolegu, por bëri një analizë të detajuar të asaj që pa në Londër. Për më shumë se 1 orë thuri aq lëvdata për Pol Mekartnin dhe këngën e tij Hey Jude, sa ai nuk i ka marrë në 44 vjet që nga krijimi i kësaj kënge. Foli edhe për Deni Bojl dhe regjinë e tij të ceremonisë së hapjes, sa jam i sigurt që shqiptarëve u është dukur më e bukur ceremonia nga fjalët e Kryeministrit sesa ajo që panë në transmetimin HD të Televizionit Publik Shqiptar. Kryeministri nuk tha asnjë fjalë për skuadrën olimpike që ndodhet në Londër, por më mirë që zgjodhi këtë rrugë, sepse ai nuk kishte ç’të fliste për ta, edhe pse vartësit e tij mund t’ia kenë shitur si skuadrën më të mirë të gjitha kohërave, atë skuadër që do nderonte shqiptarët në vitin jubilar të themelimit të shtetit.

Por shfaqja shqiptare është turp në 100-vjetorin e Pavarësisë, edhe pse premtimet për këtë ditë janë përsëritur pafundësisht përgjatë këtyre 4 vjetëve. Edhe 4 vjet më parë z. Berisha ishte pranë skuadrës olimpike dhe nga Pekini në Londër në skuadrën olimpike kanë ndodhur shumë gjëra të shëmtuara. Në atë skuadër mungon një kampion bote, atë ia dhamë Bullgarisë. Në mos ju personalisht z. kryeministër, ata militantët që shpërblyet pas 2009-s, që e shitën te bullgarët për 10 palë tuta sporti. Sot ai mund të na kishte nderuar të gjithëve. Shumë prej talenteve të tjerë janë përzënë nga militantët që kanë blerë me para presidencat e federatave elitare. Në këtë skuadër mungojnë edhe 5 prej sportistëve, që në këto 4 vitet e fundit kanë marrë aq shumë substanca të ndaluara, sa shqiptarët nuk i pinë ilaçe në vit. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, si kurrë më parë, një sportist është kapur duke e ngrënë me bukë dopingun brenda tempullit të olimpizmit, vetëm 24 orë përpara startit të Olimpiadës!

Juve zoti Kryeministër nuk ju mungon asnjëherë informacioni, madje në shumë raste flisni si të jeni pjesë e familjes së të gjithë shqiptarëve, e nuk besoj se nuk ju kanë ardhur në vesh edhe mashtrimet që janë bërë me listën e sportistëve, ashtu sikundër poshtërsitë që KOKSH dhe federatat përkatëse, përfshi këtu dhe agjencia e antidopingut dërgojnë për raportim në zyrën tuaj apo dikasteret poshtë jush. Po, po poshtërsi, pasi në Londër KOKSH nuk akrediton gazetarët që raportojnë çdo ditë lajme për sportin në vend, por bën tender vizash për shokë e miq. Sportistët përcillen në aeroport me taksi si udhëtarë të zakoneshëm që regjistrojnë hyrje-daljet në Rinas, ndërsa analizat e dopingut u janë marrë në tualetin e hotelit me filxhanët e kafesë. Këto skandale ndodhin vetëm në Tiranë zoti Kryeministër dhe nëse ju e gjetët alibinë tuaj për ta kaluar këtë pjesë të errët me vargjet e Hey Jude, alibia për ministrin tuaj të Sporteve dhe gjithë hierarkinë që vjen poshtë tij nuk gjendet dot as në fantazinë Herri Poter-iane të Dani Bojl.

Dhe është e kuptueshme që sportistët tanë do të griseshin lehtësisht njëri pas tjetrit në Londër, duke mos pasur mundësi as t’ia lexonim emrin në titra gjatë momentit të garimit, apo më keq akoma si rekordmenia jonë Klodiana Shala që bëri tërheqje gjatë ceremonisë së parakalimit dhe tani rrezikon as të mos garojë fare. Ka pasur edhe nga ata pjesëtarë të delegacionit që janë lumturuar që Romela ka dështuar, pasi kohët e fundit është shoqëruar me njerëz të padëshiruar. Sportistët nuk bëhen kampionë për një muaj, as për një ditë, as për 141 minuta duke luajtur këmbë e duar në ujë, por duan vite, investime dhe njerëz të përgjegjshëm. Sporti të ndryshon cilësinë e jetës z. Kryeministër, është një trampolinë për të gjeneruar turizmin e rritjen ekonomike, por mbi të gjitha të rrit ndjenjën e krenarisë kombëtare, teksa në pedanat më të lavdishme këndohet himni kombëtar.

Në Shqipërinë tonë ku Kryeministri e bën vetë Presidentin, Kryetarin e Parlamentit, ministrat, shefin e policisë, madje edhe punën e piktorëve, artistëve, këngëtarëve, regjisorëve, trajnerëve, pse jo edhe të sportistëve, nuk na ngelet gjë tjetër vetëm të shijojmë shfaqjen në heshtje e të bëjmë ndonjë ‘like’, për rekordet që i zënë vendet njëri-tjetrit…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA