Kreu i opozitës shqiptare Edi Rama i ka nisur një letër kryeministrit të
Austrisë Werner Fayman në lidhje me licensën e Lotarisë Kombëtare dhënë
nga tenderi i paracaktuar kompanisë austriake “Austrian Lottery”.
Në fillim të letrës Rama sqaron se qëllimi i saj është në shërbim të transparencës që ai dhe partia që drejton synojnë për zhvillimin e biznesit në një ambient miqësor, duke çmuar kontributin e bizneseve austriake në vendin tonë.
Rama informon kryeministrin austriak, se dhënia e licensës nga qeveria shqiptare kompanisë austriake ishte qartësisht e manipuluar kundra çdo interesi publik. Pasi vlerëson punën e “Austrian Lottery” në shërbim të interesave kombëtare të Austrisë, Rama thekson në letër se në opinionin e tij, kjo kompani në lidhje me tenderin në Shqipëri nuk ka aplikuar standarde të ngjashme me ato të cilat operon në Austri.
“Partia që drejtoj dhe unë personalisht,- thotë Rama në vijim të letrës, – planifikojmë të ndërmarrin të gjitha hapat ligjorë për të hetuar të gjithë procesin e paracaktuar, për të riparuar dëmet që i është bërë publikut shqiptarë nga ky akt tejet i papërgjegjshëm”.
Rama i bën prezent kryeministrit austriak apelin e PS-së që kjo kompani të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent dhe shkon kundra interesave të shtetit dhe publikut shqiptar, të gjitha rregullave dhe standardeve me të cilat kjo kompani operon në Austri.
Top Channel