Hoxha sqarime tek Avokati i Popullit

01/08/2012 00:00

Kreu i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha është paraqitur rreth orës 14 të së mërkurës para ekspertëve dhe komisionerëve të Avokatit të Popullit, për të sqaruar se mbi ç’bazë ligjore pengohen romët për të grumbulluar kanoçe nëpër kazanët e mbeturinave.

Kreu i policisë bashkiake, i denoncuar për ushtrim dhune ndaj komunitetit rom, e ka mohuar një gjë të tillë, ndërkohë që ka sqaruar se është në kompetencë të policisë bashkiake të ndërhyjë kur ndotet mjedisi nga kazanët, të cilët janë pronë e bashkisë.

Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me denoncimet e bëra nga komuniteti rom dhe shoqëria civile, sipas të cilëve policia bashkiake ka ndërhyrë me dhunë, deri në marrjen e kanoçeve në oborret e shtëpive të romëve.

Burime nga bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se më herët Avokati i Popullit, Igli Totozani është takuar me kryetarin e bashkisë Lulzim Basha, takim që mesa duket ka mundësuar paraqitjen e Florenc Hoxhës në zyrat e institucionit të rëndësishëm civil.

Më herët gjatë muajit zyrtari i policisë kishte refuzuar disa herë letrat dhe kërkesat për t’u paraqitur dhe për të dhënë sqarime mbi këtë çështje.

Ndërsa kreu i këshilltarëve socialistë në këshillin bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi akuzoi bashkinë për prapaskena mafioze në ngritjen e një monopoli që po merret me grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.

Dalipi tha se janë mbi 30 mijë romë që mbijetojnë vetëm me mbeturinat dhe tashmë jeta e tyre do të bëhet edhe më e vështirë. 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta