Ceremonia e varrimit të Neil Armstrong

01/08/2012 00:00

U mbajt të premten ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të njeriut të parë që zbriti në Hënë, Neil Armstrong.

Armstrong u varros në një ceremoni private nga familjarët e tij në varrezat e Ohajos. Ceremoni në nder të tij u mbajtën në Museun e Hapësirës Smithsonian, në Qendrën Hapësinore Kenedi në Florida dhe në Qendrën Amerikane të Hapësirës në Huntsville në Alabama.

Armstrong vdiq më 25 gusht në moshën 82-vjeçare pas komplikacioneve të gjata kardiovaskulare. Ngushëllime për humbjen e tij mbërritën nga anembanë botës, ndërsa flamuri amerikan në Shtëpinë e Bardhe u ul në gjysmë-shtizë.

Si komandant i “Apollo 11”, Armstrong ishte njeriu i parë në historinë e njerëzimit që hodhi hapa në një trup qiellor jashtë planetit tonë.

Ai shkeli në Hënë në datën 20 korrik 1969, ndjekur nga austronauti Edëin “Buzz” Aldrin, në një shëtitje që zgjati për tre orë.

Gjatë misionit historik, ndërsa komunikoi realizimin me sukses të misionit, Armstrong shqiptoi frazën legjendare, “ky është një hap i vogël për mua, por një hap gjigant për njerëzimin”.

Deri më sot, asnjë planet apo trup tjetër qiellor nuk është mbërritur nga njeriu.

Armstrong ishte mbajtës i Medaljes së Artë të Kongresit, nderimit më të lartë civil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel