Siri, mbi 2 milionë të larguar nga shtëpitë

31/07/2012 21:50

Është ngjitur mbi 2 milionë numri i të larguarve të brendshëm në Siri, që kanë braktisur shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga aktet e dhunës.

“Nga këta, të paktën 200 mijë janë arratisur nga qyteti i Alepos fundjavën e kaluar dhe shifra në këto momente është në rritje”, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “ANSA” një zëdhënëse e Kryqit të Kuq.

Vlerësimi i bërë më parë nga aktivistët e organizatave humanitare fliste për 1.5 milionë njerëz të larguar nga shtëpitë, por që nuk kanë lënë vendin.

Po në Alepo, mijëra banorë të tmerruar, që nuk kanë mundur të lënë qytetin, janë strehuar në shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera publike, ka bërë të ditur UNHCR.

“Rreth 350 persona janë gjetur në 32 shkolla, ndërsa rreth 7 mijë civilë kanë kërkuar strehim në rezidencat universitare”, ka sqaruar zëdhënësja e UNHCR-së, Melissa Fleming.

Lidhur me situatën e rënduar është vënë në lëvizje edhe Moska, për të cilën tashmë Siria është një vend në prag të një konflikti të armatosur.

Vlerësimin e ka bërë kryeministri Dmitry Medvedev, i cili e ka futur Damaskun në listën e vendeve me rrezik të lartë, bëhet e ditur në një komunikatë qeveritare.

Më parë, për qeverinë ruse, Siria ishte në listën e vendeve me një situatë sociale dhe politike të tensionuar. Vendimi i kreut të qeverisë lidhet në veçanti me garancitë që u lejohen diplomatëve rusë që punojnë jashtë shtetit.

Top Channel