OKB: Guinea Bisau, magazina e kokainës

31/07/2012 17:35

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka shprehur shqetësimin e tij se trafiku i drogës në Guinea Bisau është rritur që nga grushti i shtetit në muajin prill. Këshilli ka kërkuar që autoritetet e vendit të rivendosin ligjin.

Guinea Bisau ka një histori të gjatë grushtesh shteti që nga pavarësia nga Portugalia në vitin 1974. Ajo është bërë një vend për bandat që trafikojnë kokainën nga Amerika Latine në Evropë, në bashkëpunim me krerët kryesorë të ushtrisë së vendit.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënuan vazhdimin e ndërhyrjes së ushtrisë në politikë dhe shprehën shqetësimin për raportet që flasin për një rritje të trafikut të drogës që nga grushti i shtetit më 12 prill”, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga Pallati i Qelqtë në Nju Jork.

Në komunikatën në fjalë thuhet se KS po konsideron mbajtjen e një samiti ndërkombëtar për të diskutuar se si të rivendoset rregulli dhe demokracia në vendin afrikan. Në maj, Këshilli i Sigurimit u ndaloi udhëtimin jashtë shtetit liderëve që drejtuan grushtin dhe mbështetësve të tyre kryesorë.

Ushtria ka rënë dakord për të mbajtur bisedime të ndërmjetësuara nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore, por deri tani një gjë e tillë nuk është bërë.

Në vitin 2010 Shtetet e Bashkuara akuzuan liderët e vjetër ushtarakë nga Guinea Bisau, përfshirë ish-shefin e marinës Jose Americo Bubo Na Tchuto, për drejtim të zinxhirit të narkotrafikut.

Në bazë të të ashtuquajturit “Drug Kingpin Act”, ndaj oficerit në fjalë dhe zyrtarëve të tjerë ushtarakë u vendosën një seri sanksionesh. Asnjë lider i zgjedhur në pothuajse 40 vjet nga pavarësia nuk ka arritur të përfundojë mandatin në Guinea Bisau.

Top Channel