Obama, i pakënaqur me ekonominë

31/07/2012 21:20

Presidenti amerikan Barack Obama “nuk është i kënaqur” me gjendjen e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.

“Dhoma duhet të aprovojë shkurtimet e taksave për klasën e mesme, që përbën 98 për qind të kontribuesve amerikanë”, ka deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Jim Carney, që ka cituar fjalët e shefit të tij, kjo do të jepte siguri dhe do të ndihmonte ekonominë të rritej më shpejt, duke krijuar vende pune.

Administrata amerikane aktualisht është e angazhuar në mbështetje të programeve që ndihmojnë pronarët e shtëpive për t’u bërë ballë angazhimeve financiare për të qëndruar në banesat e tyre.

Disa herë presidenti Obama ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me situatën ku ndodhet ekonomia amerikane, shumicën e rasteve personalisht dhe jo përmes zëdhënësit të tij.

Vazhdojmë të krijojmë vende të reja pune prej 28 muaj rresht. Por nuk mund të jemi të kënaqur pasi objektivi ynë është kthimi në situatën e vitit 2008”, u shpreh ai në fillim të muajit.

Disa herë presidenti ia ka atribuar përgjegjësinë për krizën ekonomike kontinentit të vjetër, i cili sipas tij nuk diti të menaxhonte situatën e vështirë financiare duke e eksportuar atë përtej oqeanit.

Vetëm tre ditë më parë administrata e tij u detyrua të zvogëlonte parashikimet e saj për rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara për vitet 2012 dhe 2013.

Top Channel