Një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër dhjetë të pandehurve për një rast të korrupsionit.

Siç raportoi të martën “Telegrafi”, në mesin e të akuzuarve janë ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, katër ish-gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues të një Ndërmarrjeje Shoqërore (NSH).

”Prokurori e akuzoi ish-kryetarin e Gjykatës Komunale për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga “EULEX”.

Shtatë ish-gjyqtarët akuzohen për veprat penale “shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit” dhe për “nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”.

Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme.

Të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër Ndërmarrjes Shoqërore (NSH), të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Të akuzuarit janë përfshirë në role të ndryshme në bazë të punës dhe profesionit të tyre.

Rastin është duke e ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Top Channel