Indi, gjysma e vendit ende në terr

31/07/2012 16:00

Qindra miliona njerëz vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e energjisë elektrike në veri dhe në lindje të Indisë, pas një defekti masiv të regjistruar një ditë më parë.

Më shumë se gjysma e vendit ka mbetur në terr pasi tre rrjete të mëdha elektrike u fikën për të dytën ditë rresht. Qindra trena kanë ndaluar, ndërkohë që shumë spitale po punojnë me gjeneratorë.

Ministri i Energjitikës ka fajësuar krizat në shtete të caktuara të vendit, të cilat marrin më shumë energji nga rrjeti kombëtar.

Problemet në rrjetet elektrike në veri, lindje dhe veri-lindje kanë prekur rreth 600 milionë njerëz në 20 shtete të Indisë.

Në lindje, rreth 200 minatorë mbetën të bllokuar nën tokë pasi ashensori doli jashtë funksionit. Ata janë zhvendosur në një zonë tjetër ku kanë akses tek ajri i pastër dhe për momentin nuk janë në rrezik.

Në një deklaratë në televizionin kombëtar, ministri i Energjitikës, Sushil Kumar Shinde tha se u ka bërë apel shteteve të caktuara që të mos marrin më energji më shumë se kuota e përcaktuar.

“Gjithashtu, kam urdhëruar zyrtarët që të penalizojnë shtetet që kanë abuzuar me energjinë”, nënvizoi ministri.

Top Channel