Ministri i Finacanve dhe i Ekonomisë në Serbi, Mladan Dinkiç, informoi të martën se Serbia mund të marrë një asistencë direkte prej 400 milionë dollarësh, në formë huaje me interesa të ulta, nga buxheti i Bankës Botërore.

Pas një takim në Beograd me përfaqësues të BB-së, Dinkiç u shpreh për agjensinë “Tanjug” se “po bisedohet për një hua me terma tepër të favorshëm, që do të jetë në gjendje të ndihmojë në realizimin e një pakete projektesh në vend”.

”Huaja do të ketë një periudhë maturimi prej 18 muajsh, për një periudhë 5-7 ripagimi dhe me një interes prej vetëm 1%, e cila është jashtëzakonisht e favorshme në të gjitha tregjet ndërkombëtare”, tha Dinkiç.

Siç specifikoi “Tanjug”, 400 milionë dollarët do të përdoren për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, sistemin shëndetësor dhe për të subvencionuar bujqësinë.

Lajmi për asistencën nga Banka Botërore vjen vetëm një ditë pasi u spekulua se Serbia rrezikon seriozisht falimentimin, si rrjedhojë e defiçitit të lartë buxhetor.

”Jam shumë i kënaqur me këtë takim, në të cilin njëkohësisht biseduam edhe për masat që do të merren për rivendosjen nën kontroll të financave shtetërore. Banka Botërore është e gatshme që të rrisë ndihmën aktuale që i jep Serbisë. Diçka e tillë ka një rëndësi thelbësore, në një moment kur po përpiqemi të tejkalojmë gjendjen katastrofike në të cilën buxheti është aktualisht”, u shpreh Dinkiç.

Top Channel