Partia Demokratike e ish-presidentit Boris Tadiç, ndonëse ka fituar zgjedhjet lokale në shumë vende, rrezikon të humbasë shumicën e qyteteve të tjera për shkak se koalicionet e arritura në nivel lokal mund të marrin fund.

Partia Socialiste e Serbisë mund të heqë dorë nga koalicionet lokale pasi ka arritur koalicionin për qeverinë në nivel shteti me Partinë Progresiste të presidentit të tanishëm, Tomisllav Nikoliç.

Tadiç ka fituar në zonat e Vojvodinës dhe atje mban qeverinë e krahinës, por mund të humbë qytetin e Novi Sadit. E vetmja e sigurt për demokratët mund të jetë bashkia e Beogradit, në të cilën kryebashkiaku Dragan Gjillas ka fituar pa asnjë dyshim.

Ligjet në Serbi lejojnë që koalicionet të ndryshohen edhe pas formimit të pushtetit, ndërkaq kjo shihet si një mënyrë për të goditur edhe më shumë demokratët që nuk arritën të formonin qeverinë dhe humbën presidencën. Demokratët e kanë konsideruar ndryshimin e pushtetit si një injorim të vullnetit të qytetarëve.

Top Channel