Gjendja e sigurisë në dy javët e fundit në Mitrovicë ka qenë e qetë, por problem mbeten barrikadat serbe në zonën veriore. Kështu është vlerësuar të hënën në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka përsëritur apelin për angazhimin e misionit të NATO-s për largimin e barrikadave serbe, të cilat vështirësojnë lëvizjen.

“Strukturat e sigurisë, sidomos KFOR-i, duhet të veprojnë dhe t’i largojnë barrikadat”, ka deklaruar Kastrati, i cituar nga “REL”.

Barrikadat serbe në veri të Kosovës janë të pranishme që prej korrikut të vitit të kaluar, kur qeveria kosovare dërgoi forcat speciale për marrjen nën kontroll të pikave kufitare.

Një apel të ngjashëm bëri fundjavën e kaluar edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili tha se për ndryshimin e gjendjes në veri duhet të ndihmojë edhe faktori ndërkombëtar.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet janë ato që kanë përgjegjësinë kryesore dhe aktivitetin kryesor. Por ka punë që duhet t’i bëjë KFOR-i dhe EULEX-i, në veçanti për krijimin e ambientit të sigurt për rend dhe ligj”, deklaroi Kuçi.

Nga ana tjetër ai shtoi se punë mund të bëhen edhe në fushën e diplomacisë, me Uashingtonin dhe Brukselin që duhet t’i bëjnë më shumë presion Beogradit zyrtar.

Së fundmi, autoritetet kosovare kanë përjashtuar disa herë opsionin e ndërhyrjes policore në veri, duke deklaruar se zgjidhja më e mirë për këtë problem është integrimi i zonës me shumicë serbe.

Nga ana e tij, faktori ndërkombëtar i ka bërë disa herë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që veriun dhe çështje të tjera problematike t’i zgjidhin përmes dialogut dypalësh. 

Top Channel