Qeveria e re e Serbisë, pavarësisht prirjeve nacionaliste të saj, do të shkojë drejt njohjes së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Kështu shkruan në numrin e së hënës e përditshmja ruse “Kommersant”, sipas të cilës shteti i ri serb është i gatshëm të plotësojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Deklarata aq të hapura se Kosova është praktikisht e humbur nuk janë bërë deri më sot nga asnjë prej udhëheqësve serbë. Tani për këtë flet edhe presidenti, i cili mbahet edhe si nacionalist. Kjo do të bëjë që shumë serbë të besojnë tek diagnoza e pangushëllueshme”, shkruan “Kommersant”.

Sipas gazetës, arritja e vetme e Beogradit zyrtar për serbët e Kosovës do të konsiderohet si suksesi më i madh.

E përditshmja e bazon shkrimin e saj tek fakti që në prag të formimit të koalicionit të ri qeverisës, Serbinë e vizitoi nënsekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon, i cili sipas saj i paraqiti kërkesa të qarta.

“Gordon paraqiti kërkesën kryesore, atë të shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës, hapjen e zyrës serbe në Kosovë dhe takimin mes presidentëve të dy vendeve.

“Zbatimi i këtyre kërkesave do të thotë normalizim i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, qoftë edhe pa njohje reciproke, edhe pse autoritetet serbe janë të gatshme për një gjë të tillë”, shkruan më tej gazeta.

Top Channel