Indi, zjarri në tren shkakton 47 viktima

30/07/2012 08:00

Një zjarr në një tren pasagjerësh në Indi ka shkaktuar vdekjen e 47 personave. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së hënë në Andhra Pradesh.

Sipas BBC, numri i viktimave mund të rritet me kalimin e orëve sepse në mjetin e transportit udhëtonin 72 pasagjerë.

Shefi i distriktit të Nellore, stacionit ku po kalonte treni në momentin e rënies së zjarrit, u shpreh për BBC se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një qark i shkurtër dhe se pasagjerët kanë qenë duke fjetur.

Ekipet e shpëtimit e kanë pasur të vështirë të hynin në vagonat e trenit dhe kanë përdorur mjete speciale për t’i ardhur në ndihmë pasagjerëve të mbijetuar.

Aksidentet e trenit në Indi kanë vrarë 1220 persona vetëm në 5 vitet e fundit. Llogaritet se rreth 18 milionë njerëz udhëtojnë me tren çdo ditë në të gjithë Indinë.

Top Channel