Indi, 300 milionë banorë pa energji elektrike

30/07/2012 16:10

Një problem madhor në rrjetin energjitik në Indi la me qindra milionë banorë pa energji, përfshi edhe një pjesë të kryeqytetasve në Delhi.

Në total, më shumë se 300 milionë indianë u prekën nga “black-out” që prej mëngjesit të së hënës, në krahina si Punjab, Haryana, Uttar Pradesh, Himachal Pradesh dhe Rajasthan.

Ministri i Energjisë, Sushil Kumar Shinde, informoi se shumica e energjisë ishte rikthyer dhe se së shpejti do të rikthehej edhe në të gjithë zonat e vendit.

Është e paqartë se përse rrjeti elektrik pësoi këtë kolaps, por dyshohet se stacionet energjitike ishin vënë nën presion, duke kërkuar të transmetonin më shumë energji nga sa mund të transmetonin.

Ndonëse “black-out” në Indi nuk janë një fenomen i pazakontë, asnjëherë më parë nuk ishte regjistruar një problem që të linte njëkohësish pa energji mbi 300 milionë banorë.

Top Channel