Alepo, rebelët marrin bazën ushtarake

30/07/2012 00:00

Luftimet në Alepo prej disa ditësh janë përshkallëzuar. Forcat e regjimit të presidentit Bashar al-Assad deklarojnë se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit, ndërsa rebelët opozitarë të armatosur deklarojnë se kanë nën kontroll qytetin dhe vec kësaj në duart e tyre ka rënë edhe një bazë ushtarake pak kilometra larg qytetit.

Baza ndodhet pak kilometra larg qytetit. CNN thotë se aksioni u ndërmorr pas mesnatës, në orët e para të ditës së hënë dhe se rebelët mundën të marrin kontrollin e bazës pas 9 orësh luftime me rreth 200 ushtarë të ushtrisë së regjimit që ndodheshin atje.

200.000 vetë i janë larguar luftimeve të dhunshme në qytetin e dytë më të madh të Sirisë këto dy ditët e fundit.

Sipas te dhenave te OKB-se, mjaft te tjere kane mbetur te bllokuar ne kryeqendren tregtare te vendit dhe i nevojitet urgjentisht ndihme. Pas nje jave bombardimesh, forcat qeveritare nisen te shtunen nje ofensive tokesore ne shkalle te gjere ne te gjithe zonen e Alepos. Banoret atje thuhet te kene mbetur pa rezerva ushqimore dhe energji elektrike.

Trupat e regjimit janë më të shumta në numër, megjithatë rebelët po bëjnë rezistencë duke preferuar stilin e luftës guerile, e cila është provuar mjaft e efektshme. Beteja është përqendruar për momentin në lagjen Salah al Din, në jugperëndim të qytetit, ku kryengritësit kanë bazat e tyre.

Aktivistët raportojnë se rajoni ka qenë shënjestër e bombardimeve të rënda dhe një sulmi nga perëndimi, megjithatë i mohojnë raportet e televizionit shtetëror sirian se lagjja tashmë është nën kontrollin e ushtrisë.

Ndërkohë, një tjetër diplomati sirian braktis regjimin e presidentit Assad. Këtë herë është i ngarkuari me punë i Sirisë në Britaninë e Madhe, Khaled al-Ayoubi i cili njoftoi vendimin e tij duke deklaruar se nuk mund të ishte pjesë e makinerisë që po vret mijëra civilë, gratë e fëmijët.

Top Channel