Tragjedia e Kolorados

29/07/2012 00:00

Javën e kaluar, Ashley Moser humbi vajzën e saj 6-vjeçare Veronica, viktima më e re në moshë e tragjedisë së Kolorados, ku një i ri hapi zjarr në kinema, duke vrarë 12 persona që po ndiqnin premierën e filmit “The dark knight rises”.

Gruaja, e cila mbeti e plagosur nga sulmi, ka marrë një tjetër lajm të rëndë: për shkak të plagëve  e traumës së pësuar, ajo ka humbur edhe fëmijen që priste. e ndërsa përgatitjet për funeralin e 6-vjeçares vazhdojnë, e ëma, sipas mediave vendase, është në një gjendje të vështirë, jo vetem fizike, por dhe emocionale.

Të shtunën, ajo iu nënshtrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, megjithate më shqetësuese mbeten problemet psikologjike. Të afërmit bënë thirrje për donacione, të cilat të derdhen në një llogari bankare të hapur posaçerisht për të, në mënyrë që Ashley Moser të ketë një ndihme financiare për muajt dhe vitet në vazhdim.

”Falenderojmë nga zemra të gjithe ata që na kanë përcjellë dashamirësine e tyre, që janë lutur për ne në këto momente të veshtira e urojne më të mirën për Ashley-n”, thuhet në deklaratën e familjes.

Urojmë më të mirën, por rimëkëmbja e saj me të gjithë gjasat, ka për të qenë e gjatë dhe e veshtirë. 11 nga të plagosurit e incidentit të Kolorados vazhdojnë të mbeten të shtruar në spital e pesë prej tyre, janë në gjendje kritike për jeten.

Njeriu përgjegjës për fatkeqësinë, James Holmes ndodhet në burg pa të drejtë lirimi me kusht. Mësohet se disa dite para masakres, ish-studenti i doktoraturës për neuroshkence kishte dhënë një provim, por nuk kishte kaluar. Nëse shpallet fajtor, 24-vjeçari rrezikon të marrë dënimin me vdekje.

Top Channel