Ish-shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviç është shprehur skeptik në lidhje me deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën, Aleksandar Vulin, se nuk do t’ia shtrëngojë dorën kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi.

“Nuk besoj në fjalët e tij se ai apo anëtarët e qeverisë së re të Serbisë nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Vulin ma tha mua këtë dhe unë i thash se po e marr si të mirëqënë”, ka thën Stefanoviç.

Duke folur për gazetën serbe “Vesti”, ish-negociatori serb është shprehur i bindur se rrethanat politike shumë shpejt do ta përgënjeshtrojnë deklaratën e Vulin.

“Kjo, sepse kryeministri Ivica Daçiç ka thënë se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen dhe se bisedimet do të vazhdojnë. Edhe ne si opozitë do t’i mbështesim ato”, ka thënë Stefanoviç.

Vulin u zgjodh kryetar i Zyrës për Kosovën disa ditë më parë, pasi siguroi mbështetjen nga partitë kryesore politike serbe, pas emërimit të tij nga Partia Progresiste, e drejtuar nga presidenti Tomisllav Nikoliç.

Vulin deklaroi më herët për mediat serbe, se Kosova është një çështje që nuk i përket asnjë partie dhe se ai vetë do të punojë në bazë të rezolutës 1244 të OKB-së.

Vulin tha se shteti serb ka një politikë unike ndaj Kosovës dhe shtoi se në fazat e reja të dialogut do të përfshihen edhe serbët e Kosovës, të cilët deri më sot nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve.

Top Channel