Orban: BE, lojra për derrat dhe patat

28/07/2012 17:20

Funksionarët e Bashkimit Evropian humbin kohën me lojra për derrat dhe patat, ndërkohë që qindra mijëra qytetarë humbasin vendet e punës dhe monedha e përbashkët po bie.

Fjalët e rënda i ka thënë kryeministri hungarez Viktor Orban, gjatë një tubimi vjetor me studentët, të zhvilluar të shtunën në qytetin rumun Baile Tusnad.

Orban i është referuar kështu Lojrave Olimpike Londër 2012, për të cilat janë bërë shpenzime marramendëse.

Ndërkohë, kryeministri ndodhet në një konflikt të ashpër me opozitën hungareze, për shkak të një deklarate të bërë më herët.

“Shpresoj shumë që të mos jetë nevoja të shpikim një regjim të ri në vend të demokracisë”, ka thënë më herët Orban, duke nxitur reagimin e së majtës.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se në zgjedhjet politike të vitit 2014 do të jetë e detyrueshme që të gjithë zgjedhësit të regjistrohen në listat elektorale.

Për Partinë Socialiste, më e madhja e opozitës hungareze, partia e kryeministrit Orban po shkatërron çdo ditë e më shumë demokracinë e vendit.

Top Channel