Policia maqedonase ka arrestuar 46 vajza të reja nën akuzën e ushtrimit të prostitucionit në një seri hotelesh në perëndim të Maqedonisë.

Lajmin e ka komunikuar për mediat maqedonase vetë ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, e cila ka dhënë dhe detajet e operacionit.

Sipas ministres, nga 46 vajzat, 22 janë me shtetësi serbe, 9 me shtetësi bullgare, 7 me shtetësi maqedonase, 4 me shtetësi shqiptare, ndërsa të tjerat nga Kosova dhe Mali i Zi.

Sipas Jankulovskës, nga hetimet është zbuluar se ato janë të moshave nga 18 në 24 vjeç dhe nuk ndodheshin në Maqedoni për herë të parë.

Ministrja e Brendshme ka saktësuar se ato punonin në hotele luksoze në lokalitetet e Tetovës, Zherovjanit, Vaksincës dhe Gostivarit dhe në banesat e tyre janë gjetur shuma të mëdha parash.

Jankulovska ka shtuar më tej se, karakteristikë e këtij rasti ishte se vajzat kishin liri të plotë lëvizjeje, pasi kishin pasaporta të rregullta dhe mundësi për të dalë nga zona ku punonin.

Top Channel