ARTAN LAME – Herë pas here më vjen t’ia ndërroj emrin kësaj rubrike dhe,
nga “Shqipni Tavolinash” t’ia bëj “Shqipni Turpesh”. Kjo është një nga
ato radhë.
Saimir Tahiri u dënua para dy javësh nga Gjykata e Tiranës, sepse kish deklaruar në sallën e Kuvendit se “fëmijët e kryeministrit janë të korruptuar”. Ishte vërtet revoltuese mënyra se si u soll gjykatësi hallexhi në këtë proces gjyqësor pa pikë dinjiteti, se si gëlltitej dhe përpiqej të fshihej pas gishtit, por sidoqoftë në fund e hëngri turpin me bukë faqe gjithë botës dhe, si shqiptar i vërtetë, iu lëpi pushtetit.
Shembujt personalë në diktaturë nuk kanë vlerë, nuk mund ta ndryshojnë apo aq më pak ta shembin sistemin. Shembuj të tillë, nëse ia dalin të regjistrohen e të mbijetojnë si kujtesë, kanë vlerë vetëm për të ardhmen, për dinjitetin e shoqërisë kur diktatura të jetë shembur, për të treguar se edhe nën errësirën e shtypjes flaka e dinjitetit qytetar mbijeton. Ndërsa ndryshe është puna në diktaturat shpartallaqe si kjo e jona sot. Këtu shembujt e veçantë të përballjes, të qëndresës, të dinjitetit personal dhe profesional, kanë vlerë jo vetëm për historinë, por edhe për të kontribuar në shembjen e sistemeve të tilla të korruptuara. Ndaj, askush nuk do t’i kërkonte gjykatësit të bënte heroin në kohë të Komandantit, por ta hajë dreqi, një thërrime dinjitet personal dhe profesional tani në kohë të diktatit të Saliut, duhej ta kish gjetur. S’e gjeti.
Shkoi e vate kjo punë dhe unë nisa dy herë të bëj një shkrim për turpin e atij procesi. Nuk e bëra, pasi duke e patur mik Saimirin, do dukej sikur po i bëja një qokë. Sqimë e pavend kjo, për këtë vënd ku sqima konsiderohet budallallëk.
Para disa ditësh Tahiri, që bënte pjesë në delegacionin shqiptar në Bruksel për punë të integrimit, foli atje e tha se si mund të flitet për pavarësi të gjykatave në një vend ku për rastin e mbërtheckave nuk u dënua ministri por media që e denoncoi, si edhe për disa raste të tjera dënimesh e presioni absurd ndaj mediave. Rastin e vet, që është nga më të turpshmit e dënimeve, edhe ai vetë nuk e përmendi atje. Prapë sqimë e tepërt kjo, në këtë vënd harbutësh politikë.
Sa pa mbaruar mirë Tahiri, i ngrihet nga përballë Arenca Trashani (edhe ajo pjesë e delegacionit) dhe deklaron se Tahiri nuk mund të flasë për çështje të gjyqësorit dhe lirisë së mediave, sepse është në konflikt interesi, pasi është i dënuar edhe vetë. Kjo deklaratë e marrë më bëri të ulem e të shkruaj. Saimiri s’ia doli të më bëjë të shkruaj, Arenca po.
Me pak fjalë, Arenca po thoshte se Fatos Lubonja, Maks Velo apo Daut Gumeni, nuk mund të flasin kundër diktaturës, pasi janë në konflikt interesi, sepse kanë qenë edhe vetë të dënuar.
Arenca po thoshte se Nelson Mandela nuk mund të bëhet simbol i luftës kundër Aparteidit, pasi është në konflikt interesi, sepse ka qenë edhe vetë i dënuar në periudhën e Aparteidit.
Arenca po thoshte se Aleksandër Frangaj nuk mund të fliste kundër Berishës, pasi ishte në konflikt interesi, sepse ky e kishte futur në burg dhe i dogji edhe gazetën madje. Dhe në fakt Frangaj u tregua i mënçur. Duke parë se nuk vlen t’i dalësh në krah një populli që zgjedh Arencën për deputete, preferoi më mirë që në vend të fliste kundër Berishës të fliste me Berishën. Dhe sot punët i shkojnë fjollë.
Arenca po thoshte se edhe gjykatësi që dënoi Saimirin, Ilir Çeliku, që edhe vetë është një ish i persekutuar, nuk mund të flasë kundër diktaturës, pasi do të ishte në konflikt interesi, pasi prindërit e tij kanë vuajtur tragjikisht nën diktaturë.
Arenca po thoshte se Julia Timoshenko, që gjendet e dënuar në Ukrainë, nuk mund të denoncojë përpara Evropës dënimin e saj, sepse është në konflikt interesi.
Arenca po thoshte se Peço Kagjini, që denoncoi favoret e jetës në Bllok më 1956 në Konferencën e Tiranës, nuk mund të shkruajë sot kujtimet e veta, pasi është në konflikt interesi. Për ta sqaruar Arencën, Peço Kagjini, komunist i ndershëm asokohe, denoncoi gjatë Konferencës së Tiranës, veçimin e udhëheqjes në Bllok, favoret që gëzonin, rrogat e larta të tyre e të tjera privilegje të paligjshme të Bllokut. Pak a shumë, ajo që bëri edhe Saimiri gjysmë shekulli më pas. Kagjini u dënua dhe vuajti gjithë jetën për atë moment ndershmërie, ndërsa tani në pleqëri ka botuar kujtimet e veta dhe vazhdon të denoncojë diktaturën. E pra për mëndjen e Arencës ai nuk mund të flasë, pasi është në konflikt interesi. Ehuuu, di Havaja ç’është dynjaja!
Arenca po thoshte se as Jozefina Topalli, mbrojtësja dhe arsyeja e qenies së vetë Arencës në sallën e Parlamentit, nuk mund të fliste për dënimin e të parëve të saj nga diktatura, pasi ishte në konflikt interesi.
Arenca po thoshte se ….., e ç’vlerë do kish ç’thotë Arenca, nëse nuk do t’i thoshte atje midis Evropës, ku ka lindur demokracia dhe e drejta për t’u ankuar kundër dhunës.
Arenca i takon brezit të ri të politikës, atyre që nuk e kanë njohur diktaturën në kurriz, por vetëm nga librat, natyrisht nëse kanë lexuar. Mjafton të mos kenë lexuar dhe s’e kanë idenë se ç’farë është bërë në këtë vënd në 50 vjet për fjalën e lirë. E shihni se sa e lehtë është të mos kesh sqimë! Dhe nga ana tjetër sa e lehtë është të biesh në diktaturë në një vënd ku qytetarët numërohen me qiri, ndërsa shërbëtorët vullnetarë të pushtetit nuk ka defter që i nxë. Natyrisht që kur them qytetar, nuk e kam fjalën për banor qyteti, por për titullin e lartë që ta jep vetëm mendja e lirë.
Po atëherë, meqë ata që kanë vuajtur nga një diktaturë nuk mund ta denoncojnë atë, sepse janë në konflikt interesi, kush duhet ta denoncojë diktaturën sipas Arencës? Shumë e thjeshtë, ata që nuk kanë vuajtur nga diktatura, ose që e kanë shkuar fjollë me të. Po pra, pikërisht kjo po ndodh. Ai që thërret më shumë sot kundër diktaturës së djeshme, është Sali Berisha me të vetët. Vërtet që kjo është absurde, por është juridikisht korrekt.
Ndonjëherë me shaka i thoja Saimirit se duhet të bëhesh si Qemal Stafa që, siç na kishin thënë në kohë të Komandantit, u kthye nga i akuzuar në akuzues kur deshi ta dënonte Zogu. Mirëpo kur Saimiri u dënua, s’kishte më vend për shaka. Qemali treçerek shekulli më parë e deklaroi se ishte kundër regjimit dhe Zogut dhe megjithatë nuk u dënua, pasi gjykata ca respektoi ligjin e ca presionin e opinionit publik. Treçerek shekulli më pas, Saimiri nuk e pati këtë fat. Gjykatësi as u zverdh e as u skuq kur e dënoi duke shkelur ligjet, ndërsa opinioni publik shqiptar është topitur sa s’ka më. Dhe mbi të gjitha, në fund duhet të durosh edhe Arencën që, pasi u dënove, të thotë edhe mos fol e mos denonco, se je në konflikt interesi! Çfarë turpi!
Top Channel