Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re në Serbi dhe kanë uruar kryeministrin e ri Ivica Daçiç.

Ashton dhe Fyle presin që ekzekutivi i ri të ruajë orientimin evropian, të punojë për bashkëpunimin rajonal dhe të kontribuojë për paqen mes popujve.

Në këtë drejtim, dy zyrtarët e lartë të BE-së e kanë vënë theksin tek nevoja për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimin sa më shpejt të marrëveshjeve të arritura.

Qeveria e re, e përbërë nga një koalicion mes konservatorëve dhe socialistëve, mori më herët votëbesimin në Parlamentin serb.

Mediat serbe online njoftuan se në favor të kabinetit të ri votuan pro 142 deputetë, kundër 72, ndërsa 26 të tjerë zgjodhën të abstenonin.

Miratimi nga Parlamenti për këtë qeveri, që doli nga zgjedhjet e përgjithshme të 6 majit të kaluar, erdhi në përfundim të një debati në sallë që zgjati pothuajse 10 orë.

Vetë kryeministri Daçiç deklaroi në fjalimin para Kuvendit se, Serbia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës, por nënvizoi se problemet me të do t’i zgjidhë në rrugë paqësore.

“Me rëndësi për ne është siguria e serbëve, trashëgimia kulturore, fuqizimi i ekonomisë në vendet ku jetojnë serbët dhe kthimi i tyre. Ne do të kemi një politikë të jashtme realiste”, tha Daçiç.

Ai theksoi se qeveria e re serbe do të bashkëpunojë me të gjitha shtetet, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën, dy vende këto të fundit që nuk njohin pavarësinë e Kosovës.

Top Channel